Qëndresa heroike e Jasharve ekspozohet në Hamburg të Gjermanisë

Për nder të 18 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në Hamburg të Gjermanisë është hapur ekspozitë, e organizuar nga Unioni i bizneseve shqiptaro-gjermane në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës, raporton lajmi.net

Lajme

18/06/2016 21:46

Shqiptarë e gjermanë panë nga afër nëpërmjet fotografive të shumta dhe eksponateve të ndryshme të dërguara nga Kosova, betejën e familjes Jashari para 18 vitesh, e cila heroikisht mbrojti pragun e shtëpisë kundër agresorit serb.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin, Sadik Krasniqi shef i seksionit të Historisë në Muzeun e Kosovës dhe autor i ekspozitës së Familjes Jashari, Atasheu Ushtarak nga Kosova, Xhavit Sadrija i cili me një fjalë rasti përshëndeti të pranishmit, si dhe shumë afarist të njohur shqiptarë.

Një falënderim i veçantë për kontributin e dhënë për organizimin e kësaj ekspozite u tha se shkon për Xhelil Musa i cili ndihmoi në realizimin e kësaj ekspozite e cila bart me vete vlera të mëdha.

Nexhmedin Veliqi njëherësh sekretar i Unionit në një fjalë rasti përshëndeti të pranishmit dhe tregoi se çdo gjë që bëhet për të kujtuar Familjen Jashari asnjëherë nuk është e mjaftueshme.

Ai theksoi se si Union po bëjnë projekte të ndryshme si në Kosovë ashtu edhe në Gjermani.

Aty u pa edhe rripi i Komandant Adem Jasharit, gëzhojat e plumbave të kësaj beteje e shumë gjësende tjera./ Lajmi.net