Qehaja kritikon SBASHK-un: Kërcënimi me ndërprerje të mësimit, është i padrejtë ndaj fëmijëve, pagat duhet të rriten

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, para disa javësh ka paralajmëruar grevë në tërë sistemin arsimor, nëse Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk i përmbush kërkesat e tyre.

Lajme

23/04/2022 17:19

Kërkesa e SBASHK-ut në drejtim të qeverisë është që nga muaji prill t’u paguhet shtesa prej 100 euro të gjithë punëtorëve në sistemin arsimor, në shkencë dhe kulturë, deri në aprovimin e Ligjit të Pagave, shkruan lajmi.net.

Greva e paralajmëruar e SBASHK-ut fillimisht ishte paraparë që të filloj nga data 21 prill, po në mbledhjen e fundit të Këshillit të kësaj sindikate, është vendosur që qeverisë t’i jepet edhe një javë afat për përmbushjen e kërkesave të tyre.

Rreth ndikimit të grevës nga kjo sindikate dhe kërkesës së tyre për paga, për lajmi.net, është prononcuar njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja.

Ai ka thënë se, edhe pse greva është mjet i ligjshëm, prapë kërcënimi me ndërprerje të procesit mësimor, sipas tij, është i papranueshëm dhe i padrejtë ndaj fëmijëve.

“Greva është mjet i ligjshëm sindikal, mirëpo kërcënimi me grevë në ndërprerje të procesit mësimor, në këtë kohë pas më se dy vite të një mësimi të cunguar në pandemi është i papranueshëm dhe i padrejtë ndaj fëmijëve pikë së pari”, ka thënë ai.

Tutje, ai shtoi se, sipas tij, askush nuk mund të argumentoj për ndërprerjen e mësimit vetëm për shkak të një shujte dhe se rritja e pagave duhet të bëhet për të gjithë sektorët.

“Nuk besoj që dikush mundet të argumentoj në favor të ndërprerjes së mësimit për arsye të një shujte. Rritje e pagave si reagim ndaj rritjes se çmimeve duhet të vije për të gjithë sektorët e pa përjashtim”, shtoi Qehaja.

Më tej, ai tha se beson në vullnetin të mirë të te gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë çështje, në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë.

“SBASHK-u është partner sindikal i qeverisë dhe besoj shumë në vullnetin e mirë të te gjithëve që të tejkalohet kjo situatë”, përfundoi Qehaja.

Duhet shtuar se, në fillim të këtij muaji, më saktë me 8 prill, përfshirë SBASHK-un, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka protestuar duke kërkuar që të përmbushen kërkesat e tyre, disa prej të cilave përfshinin: Përcaktimin e Pagës Minimale, Miratimin e Ligjit të Pagave, dhe nisja e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore. /Lajmi.net/