Q7-shi i Isës do të shitet së shpejti
Komuna e Prishtinës pritet që të shpallë ankandin për shitjen e veturës Audi Q7. Tashmë kjo veturë është ç’lajmëruar si veturë komunale. Zëdhënësi i Komunës, Adonis Tahiri thotë se shitja e saj është çështje ditësh.

Lajme
Vetura e shumëpërfolur e Komunës së Prishtinës, Audi Q7, të cilën e përdorte ish kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, pritet që shumë shpejt të shitet.
Komuna e Prishtinës tashmë e ka ç’lajmëruar këtë veturë si veturë komunale, por ajo rri ende në garazhin e Komunës, ndonëse qeverisja e Shpend Ahmetit kishte bërë një kërkesë të tillë në Kuvendin Komunal rreth dy muaj më parë.
LDK-ja, e cila ishte kundër shitjes së kësaj veture, e sheh këtë gjë si një dështim të qeverisë së re. Këshilltari komunal, Flamur Shala tash thotë se ky aset komunal duhet të dalë në shtije sa më parë.
“Ka arritur deri në këtë pikë sa nuk po mundet që t’i realizojë edhe premtimet e veta, siç është një veturë. Prandaj, ne po themi edhe një herë që do të dëshironim që ky aset komunal të dalë në shitje sa më parë”.
Ndërkaq, zëdhënësi i Komunës, Adonis Tahiri tha për KTV-në se kjo veturë është në procedurë të shitjes dhe se ankandi për të do të shpallet së shpejti. Ai tha se shitja e kësaj veture “është çështje ditësh”.