PZAP refuzon ankesat, a do t’i shpallë KQZ-ja rezultatet përfundimtare brenda kësaj jave?
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar katër ankesa në lidhje me numërimin e votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Ky institucion i ka konsideruar tri ankesa si të pasafatshme, ndërsa një ankesë, sipas tyre, është tërhequr. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve mund t’i shpallin…
Lajme
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar katër ankesa në lidhje me numërimin e votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Ky institucion i ka konsideruar tri ankesa si të pasafatshme, ndërsa një ankesë, sipas tyre, është tërhequr. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve mund t’i shpallin gjatë kësaj jave, para datës 19 janar, e cila ishte planifikuar më herët nga institucioni.
Megjithatë, për certifikimin e rezultateve, sipas monitoruesve të proceseve zgjedhore, duhet të pritet të paktën deri në fund të muajit janar.
KQZ më 9 janar ka numëruar të gjitha votat për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Kjo i ka hapur rrugë të pakënaqurve që të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ku të njëjtit kishin parashtruar katër ankesa.
Nga ky institucion (PZAP) kanë konfirmuar për KosovaPress se tri ankesa janë konsideruar si të pasafatshme, përfshirë edhe atë të kandidatit për deputet të PDK-së, Bekim Haxhiu, në lidhje me pranimin e mbi 20 mijë fletëvotimeve nga mërgata.
Ndërsa ankesa e Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRDK), sipas tyre, është konsideruar si e tërhequr.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë për KosovaPress, se, në bazë të dinamikës aktuale, shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve mund të bëhet para datës 19 janar, datë e planifikuar më herët nga ky institucion.
“Vetëm pas kësaj, KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Me shpalljen e rezultateve përfundimtare, procesi zgjedhor nuk përmbyllet, pasi subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj rezultatit, fillimisht në PZAP dhe më pas çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme. KQZ është e obliguar të presë këto vendime, t’i zbatojë ato nëse e detyrojnë diçka dhe vetëm pas kësaj të procedojë me certifikimin e rezultateve… Shpallja e rezultatit përfundimtar mund të bëhet më shpejt sesa data e planifikuar në fillim nga KQZ-ja, e cila ishte 19 janari”, thotë ai.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, thotë për KosovaPress, se data 19 janar është optimale për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Megjithatë, ai thotë se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin zgjedhor, por i hap rrugë afateve të tjera për kontestimin e mundshëm të këtyre rezultateve. Pas këtyre procedurave, të cilat ai i shpjegon në detaje, do të mund të certifikohen rezultatet, që sipas tij, mund të ndodhin në fund të muajit janar.
“Në bazë të dinamikës së vendimmarrjes së PZAP-së dhe eventualisht Gjykatës Supreme, duket si afat optimal për shpalljen e rezultateve përfundimtare. Megjithatë, duhet përmendur se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin, pasi atëherë fillojnë të rrjedhin afatet e tjera ligjore për ankesa në PZAP dhe Gjykatë Supreme, që në tërësinë e tyre mund të marrin kohë deri në trembëdhjetë ditë maksimalisht. Janë 48 orë të drejtë ankese në PZAP, që ka afat 96 orë, pra gjashtë ditë gjithsej, pastaj janë 48 orë të tjera për të drejtën e parashtrimit të ankesës dhe pastaj pesë ditë të Gjykatës Supreme për të vendosur mbi rastet… Besoj se java e fundit e janarit do të ishte një periudhë ideale dhe optimale për certifikimin e rezultateve”, thekson Cakolli.
Shpallja e pasafatshme e ankesës së kandidatit për deputet të PDK-së, sipas Cakollit, ka qenë e pritshme.
Megjithatë, ai thotë se nëse Haxhiu parashtron sërish ankesë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, mund të ketë një interpretim nga PZAP.
Haxhiu po pretendon se KQZ ka pranuar dhe numëruar mbi 23 mijë vota të ardhura pas afatit ligjor. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, fletëvotimet e dërguara me postë nga jashtë vendit mund të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00. Mirëpo, KQZ-ja përmes një vendimi ka zgjatur afatet për pranimin dhe numërimin e votave nga mërgata.
Një ankesë e tillë është refuzuar nga PZAP disa ditë më parë, derisa është konsideruar si e pasafatshme.
Sipas Cakollit, nëse anulohen mbi 20 mijë votat e ardhura me vonesë nga diaspora, do të ndryshohej edhe përbërja në Kuvendin e Kosovës.
“Ankesat e PDK-së dhe njëkohësisht edhe ajo e kandidatit Bekim Haxhiu do të shpalleshin pasafatshme, pasi ankesa si e tillë nuk është bërë në momentin apo brenda afatit 24-orësh nga shkelja e supozuar. Tashmë po bëhet gati një javë pasi janë administruar këto vota. Megjithatë, nëse e njëjta do të parashtrohet pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, unë besoj se me një argumentim tjetër do të jetë me rëndësi se si do të vendosë PZAP-ja, pasi është e vërtetë se afati ligjor si i tillë që ekziston në ligj dhe rregullore nuk është respektuar. Do të jetë domethënëse për proceset në të ardhmen se a do të vendosë PZAP që KQZ-ja nuk ka të drejtë të vendosë afate të tjera që nuk janë të parapara me ligj… 20 mijë votat e ardhura me postë nga ana e qytetarëve që kanë votuar në ambasada dhe konsullata kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultat për të paktën një mandat, në këtë rast të LVV-së, që e ka fituar një të tillë për shkak të votave të ardhura jashtë vendit. Pastaj do të jetë me rëndësi të shihet se cili është numri total i votave që anulohen dhe sa do të ketë kjo ndikim në koeficientët që kanë partitë. Me rezultatet e deritanishme, gjasat janë që të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultat në dallimin mes mandateve të LVV-së dhe PDK-së në këtë rast”, thekson Cakolli.
Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka 51.11% ose 484,363 vota, që i bie 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës; Partia Demokratike e Kosovës 20.19% ose 192,069 vota – 22 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës 13.23% ose 125,834 vota – 15 ulëse; dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50% ose 52,236 vota – 6 ulëse.