PZAP pranon ankesë nga Lista Serbe për moscertifikimin e tyre nga KQZ

Komisioni Qendror Zgjedhor, me dy vota për, dy kundër, dhe pesë abstenime nuk e ka certifikuar dje për pjesëmarrje Listën Serbe në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Pesë abstenimet nga anëtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kanë abstenuar duke u thirrur në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme se një subjekt i regjistruar është automatikisht i…

Lajme

03/12/2025 15:19

Komisioni Qendror Zgjedhor, me dy vota për, dy kundër, dhe pesë abstenime nuk e ka certifikuar dje për pjesëmarrje Listën Serbe në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Pesë abstenimet nga anëtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kanë abstenuar duke u thirrur në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme se një subjekt i regjistruar është automatikisht i certifikuar.

VV votoi kundër.

Në lidhje me këtë, Lista Serbe ka bërë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

“Ju njoftojmë se është pranuar ankesë nga subjekti politik Lista Serbe po ashtu lidhur me rastin PZAP do të vendoset mbrenda afateve ligjore”, ka thënë PZAP në një përgjigje për lajmi.net.

I njëjti epilog, ka ndodhur edhe në dy palë zgjedhjet e kaluara Anëtarët e VV’së në KQZ kundështuan certifikimin e Listës Serbe, mirëpo më pas PZAP, me ankesë të Listës Serbe, e obligoi KQZ’në ta certifikojë këtë parti. Vendimin e PZAP’së, VV e çoi në Supreme, por edhe kjo e fundit vendosi në favor të partisë së Zllatan Elek.

Në lidhje me këtë vendim që ka marrë dje KQZ, kanë reaguar edhe ndërkombëtarët.

Ambasada amerikane ka thënë se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar certifikimin e Listës Srpska janë shkurtpamëse e përçarëse.

Nga kjo ambasadë kanë paralajmëruar se këto veprime dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë edhe rifillimin e dialogut strategjik që SHBA e pezulloi për shkak të veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se është “seriozisht i shqetësuar” për këtë vendim, duke paralajmëruar se veprime të tilla e dëmtojnë reputacionin që Kosova e ka ndërtuar si një demokraci shumetnike dhe ndikojnë negativisht në raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Jam seriozisht i shqetësuar për përpjekjen e fundit të akterëve politikë për të penguar Listën Srpska të marrë pjesë në proceset zgjedhore. Veprime të tilla kërcënojnë të shkatërrojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si demokraci shumëetnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë”, shkroi Hargreaves.

Ambasadori gjermane, Rainer Rudolph, ka thënë se procesi zgjedhor duhet të jetë i lirë nga manovrat e aktorëve politikë.

“Shpreh keqardhje për sjelljen penguese të disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që refuzuan të certifikojnë Listën Srpska për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike të aktorëve politikë”.

Ndërsa, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se ky vendim është i gabuar dhe bie ndesh me standardet ndërkombëtare për një proces të drejtë e gjithëpërfshirës.

“Politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe parti të tjera politike është i dëmshëm për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së” thuhet në reagimin e tyre.

Një reagim tjetër erdhi nga OSBE. Ata thanë se janë të zhgënjyer dhe të shqetësuar thellë  për këtë vendim. Në njoftim thuhet se “misioni dënon veprimet që cenojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje”. /Lajmi.net/