PZAP aprovon ankesën e IKD-së, anulon njoftimin e KQZ-së për refuzim të akreditimit për monitorimin e zgjedhjeve

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar si të bazuar ankesën e organizatës joqeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), e paraqitur kundër njoftimit të 12 dhjetor 2025 të Zyrës për Regjistrim, Verifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me të cilin ishte refuzuar kërkesa për akreditim…

Lajme

16/12/2025 17:46

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar si të bazuar ankesën e organizatës joqeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), e paraqitur kundër njoftimit të 12 dhjetor 2025 të Zyrës për Regjistrim, Verifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me të cilin ishte refuzuar kërkesa për akreditim të vëzhguesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Me këtë vendim, PZAP anuloi njoftimin e KQZ-së dhe lënda i kthehet të njëjtës në rishqyrtim dhe në rivendosje.

Në vendim thuhet se më 13 dhjetor, PZAP pranoi ankesën e IKD-së, në të cilën pretendon se përmes email-it më datë 12 dhjetor 2025, ka pranuar një Njoftim nga Zyra për Regiistrim, Certifikim dhe
Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, për refuzimin e aplikimit të organizatës IKD, për
akreditim që të vëzhgojë zgjedhjet e parlamentare të 28 dhjetor 2025.

IKD ka pretentuar se me këtë rast, Zyra ka tejkaluar kompetencat e saj.

“Bazuar në rregullat zgjedhore, për këtë çështje do të mund të vendoste vetëm KQZ, pasi të pranonte një rekomandim nga ana e Zyrës”, thuhet në vendim të ketë theksuar IKD.

Aty theksohet se IKD potencoi që bazuar në Rregulloren Zgjedhore, përcaktohet që “KQZ miraton ose refuzon kërkesat…”.

Gjithashtu, IKD ka thënë se Zyrës nuk i lejohet në asnjë moment të dalë përtej përcjelljes së rekomandimit në KQZ, e të marrë vendim vetë. Shton se Zyra nuk e ka bërë të qartë as bazën ligjore mbi të cilën u refuzua akdreditimi, raporton betimipërdrejtësi.

Në pëgjigje në ankesë, KQZ ka sqaruar se në kategorinë e OJQ-ve vendore me rastin e aplikimit, në përputhje me Rregulloren për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, kërkohen këto dokumente: Formulari i aplikimit për akreditim të OJQ të plotësuar me të gjitha të dhënat e kërkuara, listën e vëzhguesve të plotësuar me të gjitha të dhënat e kërkuara, certifikatën e regjistrimit të OJQ-së, statutin e organizatës.

KQZ ka thënë se IKD ka aplikuar për akreditim për vëzhgim të zgjedhjeve, përmes platformës elektronike. Aty thuhet se pas verifikimit të statutit, Zyra ka vërejtur se IKD nuk i plotëson kushtet për akreditim, e kjo sipas tyre, nisur nga fakti se në fushëveprimin e saj, nuk përfshihet mbrojtja e të drejtave të njeriut apo zgjedhjet.

“Aplikimi i Institutit të Kosovës për Drejtësi nuk ka arritur të rekomandohet nga Zyra për akreditim apo refuzim të akreditimit dhe rrjedhimisht nuk ka vendim të KQZ për këtë rast”, thuhet të ketë parashtruar KQZ.

Po ashtu, aty thuhet se ky aplikim është ende në trajtim dhe do të ketë rekomandim nga Zyra, dhe me këtë rast edhe vendimmarrje.

Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të shkresave të lëndës, qëndrimin dhe përfundimin e KQZ-së, PZAP vlerëson se përfundimin e KQZ-së në këtë rast nuk mund ta pranojë si të drejtë dhe të ligjshëm.

Sipas Panelit, vendimi i atakuar është kontradiktor, i mangët, jo i plotë dhe në kundërshtim me shkresat e lëndës. Kjo pasi KQZ në njërën anë vlerëson se IKD nuk i ka plotësuar kushtet për akreditim, e në anën tjetër thotë se aplikimi i IKD-së nuk ka arritur të rekomandohet nga Zyra për akreditim apo refuzim, e që rrjedhimisht s’ka as vendim. Dhe se është ende në trajtim.

PZAP vlerëson se e ka të paqartë se cila është vendimmarrja e KQZ-së në këtë rast.

Edhe arsyetimi i njoftimit të ankimuar, PZAP thotë se është i mangët, jo i plotë dhe se nuk janë elaboruar të gjitha çështjet dhe faktet vendimtare që kanë të bëjnë me këtë çështje, sa i përket refuzimit të akreditimit të IKD-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Andaj, PZAP thekson se akti administrativ është zgjedhur në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

“KQZ nuk ka dhënë arsye për refuzim të akreditimit dhe njëherit as në përgjigje në ankesën e palës ankuese nuk ka dhënë arsye për të qartësuar arsyen e refuzimit, apo trajtimin e lëndës në vazhdim siç ka theksuar në përgjigjen e saj”, thuhet në vendim.

Paneli thekson se IKD ka të drejtë të marrë përgjigje të arsyetuar për refuzimin e akreditimit.

Sipas Panelit, vendimi i KQZ-së është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili parasheh marrjen e përgjigjes së arsyetuar për ankesë. Andaj, rasti kthehet në rivendosje në mënyrë që KQZ të vendosë kërkesën për akreditim në bazë të dispozitave ligjore që e rregullojnë këtë çështje. Kështu, KQZ urdhërohet ta rishqyrtojë vendimin.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) më 12 dhjetor 2025 ka njoftuar se ka pranuar një Njoftim nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për refuzimin e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet e parlamentare të 28 dhjetor 2025.

“Në rastin konkret, vendimi për refuzimin e aplikimit të IKD-së nuk përmban arsyetim të qartë dhe të detajuar, duke e bërë të pamundur verifikimin e bazës ligjore të vendimit si dhe mungon e drejta e informimit lidhur me këshillën juridike për ta kundërshtuar këtë vendim. Kjo shkel parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe të drejtës për mbrojtje juridike, dhe krijon hapësirë për arbitraritet dhe politizim në marrjen e vendimeve. Për më tepër, vendimi i publikuar nga kjo zyrë cenon të drejtën e organizatave joqeveritare për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si një mekanizëm i rëndësishëm i transparencës dhe llogaridhënies. Sikurse, interpretimi i paraqitur se IKD “nuk i plotëson kriteret” për akreditim është i pabazuar, arbitrar dhe selektiv, duke devijuar nga fryma dhe qëllimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhej në reagim.