“Pyetje ofenduese” – Osmani e pranon se ia dha Kurtit 28 dhjetorin për zgjedhje, dikur i reagonte ashpër gazetarëve kur e pyetnin për të

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e pranoi me gojën e saj se ia bëri favorin Albin Kurtit, duke caktuar 28 dhjetorin për zgjedhje të përgjithshme. Këtë e tha në intervistën e fundit për Syri Tv nga Shqipëria. Megjithatë, pak muaj më parë, kur Osmani ishte bashkë me Kurtin politikisht, ajo iu kapej gazetarëve pse ia…

Lajme

11/03/2026 09:25

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e pranoi me gojën e saj se ia bëri favorin Albin Kurtit, duke caktuar 28 dhjetorin për zgjedhje të përgjithshme.

Këtë e tha në intervistën e fundit për Syri Tv nga Shqipëria.

Megjithatë, pak muaj më parë, kur Osmani ishte bashkë me Kurtin politikisht, ajo iu kapej gazetarëve pse ia bënin këtë pyetje.

Osmani në konferencën e 20 nëntorit 2025, deklaronte se ishte pyetje ofenduese nëse po i shërben Kurtit.

“Kjo është një pyetje ofenduese, që jam i bindur që ti kurrë një burri nuk do t’ia kishe bërë. Sepse ti kurrë një burri nuk i thua po vepron pavetëdije. Një pyetje të tillë ia bëni vetëm një gruaje. Dua të i sigurojë qytetarët e Kosovës se asnjë vendim përgjatë gjithë karrierës sime politike nuk e marrë pavetëdije, por e kam marrë me vetëdije të plotë, besim të plotë që ky vendim është vetëm në interes të RKS. E dyta të gjitha partitë kanë thënë se nuk janë kundër mërgimtarëve, nuk janë kundër mërgatës pse ju po paragjykoni se mërgata është në favor vetëm të një partie. Këto janë zgjedhje të reja. Partitë kanë dekalrauar se nuk janë kundër mërgatës dhe si presidente kam detyrim që të zgjedh ku kemi pjesëmarrje më të madhe e jo më të vogël të qytetarëve me të drejtë të votës”, deklaronte Osmani.

E mjaftuan pak muaj, që ajo që u tha për kohë të tërë, të vërtetohej si e pavërtetë.

Tash Osmani e pranon vetë që 28 dhjetori ishte data e preferuar e Kurtit.

“Pra, a ia pasna organizuar unë pas shtatorit puçin zotit Kurti, duke ia dhënë datën 28 dhjetor, a duke ia hequr masat Kosovës?” deklaroi Osmani ndër të tjera.

“Sikur këto sulme të drejtoheshin nga Vuçiqi e Serbia, që ka kryer akt agresioni ndaj Kosovës, atëherë do të arrinim shumë. Por për fat të keq kanë gjetur gjuhë të linçimit ndaj meje, pa asnjë dëshmi të vetme. Unë i bëj thirrje të gjithëve, nga Kryeministri Kurti deri te deputeti i fundit: le të paraqesin faktet, ku i keni faktet, ku i keni dëshmitë, që Presidentja e Kosovës është involvuar në ndonjë komplot”, tha Osmani.

Kjo deklaratë për caktimin e datës së zgjedhjeve, ka shkaktuar reagime të mëdha.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se për të është shokuese sesi Presidentja ka vepruar në sinkronizim me Kurtin kundër opozitës.

“Për mua është bukur shokuese të dëgjoj se Presidentja Vjosa Osmani kishte vepruar në sinkronizim të plotë kundër opozitës, duke i shërbyer kauzës elektorale të Albin Kurtit. Vendimi për datën e zgjedhjeve, 28 dhjetor 2025, ishte pikërisht data e kërkuar nga Kurti, ndonëse kundërshtohej nga partitë opozitare”, ka shkruar Tahiri në Facebook.