Pushteti qendror për zhvillim lokal
Isa Mustafa dëshiron rregull. Në një bashkëbisedim me disa intelektualë, foli për punën e tij në krye të Prishtinës. Ai e dëshiron pushtetin qendror në të ardhmen, por me strategji për zhvillim të komunave.

Lajme
Kryetari aktual i Prishtinës, Isa Mustafa, u takua me një grup intelektualësh prishtinas ku foli për preokupimet për të tashmen dhe të ardhmen dhe për çështje prioritare që Kryetari duhet t’i ketë parasysh për zhvillimin e ardhshëm të Prishtinës por edhe të Kosovës.
“Pas shpalljes së pavarësisë ne kemi dëshirë që këto zgjedhje të jenë zgjedhje të rregullta, të pranueshme për gjithë qytetarët dhe për faktorin ndërkombëtar. Në Prishtinë jemi organizuar mjaft mirë në zgjedhje “.
“Jemi në një situatë shumë të mirë sepse këtë vit e kemi aprovuar planin zhvillimor komunal, planin zhvillimor urban, si dhe strategjinë zhvillimore të Komunës së Prishtinës, që janë tri dokumente shumë të rëndësishme për Komunën”.
“Orientimi është që qyteti të zhvillohet në pjesën veriore dhe jo më në pjesën jugore të Prishtinës”.
Mustafa tha se buxheti i Kosovës kështu si është, është i paqëndrueshëm.
“Synimi ynë është që ne të punojmë që t’i fitojmë edhe zgjedhjet qendrore në vitin e ardhshëm dhe pastaj politikat ekonomike t’i zhvillojmë si politika të cilat do të ndihmojnë zhvillimin e komunave”.
“Buxheti kështu si është nuk ofron mundësi që ai të jetë buxhet i qëndrueshëm. Ndërtimi i rrugëve dhe politikat ekonomike që janë aplikuar deri më tani nuk kanë siguruar që të kemi rritje të buxhetit”.
“Do të shohim se cilat masa nxitëse mund t’i japë pushteti lokal dhe pushteti qendror, në mënyrë që të kemi një zhvillim më të shpejtë”, tha Isa Mustafa.