Pushim me pagesë: Deputetët s’punojnë një muaj, sot marrin pagat e plota
Sot, më 30 shtator 2025, deputetët e Kuvendit të Kosovës marrin pagën mujore bazë prej 1,914 euro, ndonëse gjatë tërë muajit nuk kanë punuar asnjë ditë. Kuvendi ka qenë i bllokuar si pasojë e masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, e cila ndaloi zhvillimin e seancave dhe veprimeve të mëtejme derisa të vendoset…

Lajme
Sot, më 30 shtator 2025, deputetët e Kuvendit të Kosovës marrin pagën mujore bazë prej 1,914 euro, ndonëse gjatë tërë muajit nuk kanë punuar asnjë ditë. Kuvendi ka qenë i bllokuar si pasojë e masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, e cila ndaloi zhvillimin e seancave dhe veprimeve të mëtejme derisa të vendoset nëse Kuvendi mund të konsiderohet i konstituar edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Afati i fundit për vendimin e Gjykatës Kushtetuese është sot, dhe pritet të sqarohet nëse konstituimi i Kuvendit më 26 gusht – pa përfaqësues të komunitetit serb në kryesi – është në përputhje me Kushtetutën, transmeton lajmi.net.
Pavarësisht kësaj bllokade, 105 deputetë (pa llogaritur 15 ministrat që nuk marrin pagë si deputetë) i kushtojnë buxhetit të Kosovës 200,970 euro vetëm në paga bazë për muajin shtator. Kjo shumë është edhe më e lartë kur llogariten shtesat për përvojë pune dhe pozitat e veçanta, si ajo e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, dhe nënkryetarëve Albulena Haxhiu, Kujtim Shala, Vlora Çitaku dhe Emilja Rexhepi.
Edhe pse Kuvendi nuk ka zhvilluar asnjë seancë gjatë shtatorit, Dimal Basha, kryetar i zgjedhur i Kuvendit, ka kryer disa takime dhe aktivitete, për të cilat është njoftuar përmes kanaleve zyrtare dhe rrjeteve sociale.
Ndërkohë, anëtarët e Qeverisë në detyrë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, ministrat dhe një zëvendësministre, nuk janë përfshirë në këtë përllogaritje, pasi ata marrin pagë nga Qeveria, jo nga Kuvendi.
Vendimi i sotëm i Kushtetueses pritet të jetë vendimtar për të përcaktuar nëse Kuvendi mund të vazhdojë punën pa pjesëmarrjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, apo nëse procesi i konstituimit duhet të përsëritet./lajmi.net/