​Punimet në kanalin kullues në Shtime, Aliu: Ndër projektet më të mirëpritura nga banorët

Në prag të përfundimit të fazës së parë të punimeve të kanalit kullues të tokave bujqësore në Shtime, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci bashkë me kryetarin e kësaj komune, Qemajl Aliu u zotuan se në vitin e ardhshëm do të vazhdojë faza tjetër e punimeve për të shkuar drejt finalizimit. Në…

Lajme

20/09/2024 13:15

Në prag të përfundimit të fazës së parë të punimeve të kanalit kullues të tokave bujqësore në Shtime, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci bashkë me kryetarin e kësaj komune, Qemajl Aliu u zotuan se në vitin e ardhshëm do të vazhdojë faza tjetër e punimeve për të shkuar drejt finalizimit.

Në prag të përfundimit të fazës së parë të punimeve të kanalit kullues të tokave bujqësore në Shtime, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci bashkë me kryetarin e kësaj komune, Qemajl Aliu u zotuan se në vitin e ardhshëm do të vazhdojë faza tjetër e punimeve për të shkuar drejt finalizimit.

Ky projekt në vlerë mbi 330 mijë euro i financuar nga MBPZHR parashihet të parandalojë përmbytjen e mbi 200 hektarëve tokë bujqësore si dhe të ketë benefite të tjera për banorët e fshatit Godanc i Epërm dhe fshatrave të tjera të kësaj pjese.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci vizitoi nga afër punimet në këtë kanal kullues me gjatësi rreth dy kilometra.

Peci premtoi se pas përfundimit të fazë së parë do të ndajë mjete për vazhdimin e fazave të tjera deri në përfundimin e këtij projekti.

“Jemi për të parë përfundimin e fazës së parë të punimeve të një kanali kullues, i cili do të parandalojë mundësinë e përmbytjes të përafërsisht 215 hektarëve përafërsisht tokë bujqësore, që është investim i Ministrisë së Bujqësisë për Komunën e Shtimes, sikurse ka investime edhe në komunat e tjera. Në funksion të kësaj, vlen të theksohet se kjo është fazë e parë dhe në dy vitet pasuese ne do të vazhdojmë dhe do të zotojmë mjete si ministri e Bujqësisë për të vazhduar projektet e tilla në disa komuna me kanale kulluese. Unë e përgëzoj kryetarin për të gjitha angazhimet dhe punët e mira që i ka bërë në këtë projekt e që priten edhe fazat tjera në vitet e tjera pasuese për Komunën e Shtimes”, tha Peci.

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha se ky projekt është mirëpritur nga të gjithë banorët e kësaj komune, për shkak të ndikimit të tij.

Aliu tha se përveç bujqve, ndërtimit të këtij kanali kullues me investim prej 336 mijë eurove, iu janë gëzuar edhe banorët e fshatit Godanc të Epërm, pasi sipas tij këta të fundit kishin hallin me kundërmimin.

“Një nga projektet më të mirëpritura nga të gjithë banorët e Komunës së Shtimes. Është faza e parë e një projekti, është financuar direkt nga ministria që ju e udhëhiqni. Është një kanal kullues diku rreth dy kilometra që shuma totale e kësaj faze është diku 336 mijë euro dhe përmes këtij kanali shpëtohen pa u përmbytur diku mbi 215 hektarë tokë bujqësore. Kjo është mirëprit jo vetëm nga bujqit për shkak të përmbytjes të tokave bujqësore por edhe e kanë mirëpritur banorët e fshatit Godanc i Epërm ku jemi këtu sepse ky kanal përveç që ka përmbytur, gjatë stinës së verës ka kundërmuar nga ajo toka moçalike që është krijuar për shkak të përmbytjeve. Po shpresojmë që fazat tjera do ta përshkojnë komplet këtë pjesë të Komunës së Shtimes”, tha Aliu.

Kanali i kullimit të tokave bujqësore fillon nga lagjja e “Zymberve” në Godanc të Epërm dhe përfshin tokat që shtrihen nga të dyja anët e lumit duke mbuluar kështu një sipërfaqe prej 215 hektarë, e cila kalon nëpër fshatin Gjergjaj deri tek Lumi Sitnicë.