Publikohet raporti që pasqyron transparencën e komunave, këto nëntë komuna marrin pikë maksimale

Instituti GAP, sot ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2024”, i cili vlerëson nivelin e transparencës buxhetore në 38 komunat e Kosovës. Në vitin 2024, numri i komunave që kanë arritur pikët maksimale në Indeksin e Transparencës Buxhetore ka qenë më i larti që prej vitit 2017, kur edhe Instituti GAP ka…

Lajme

29/07/2025 12:13

Instituti GAP, sot ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2024”, i cili vlerëson nivelin e transparencës buxhetore në 38 komunat e Kosovës.

Në vitin 2024, numri i komunave që kanë arritur pikët maksimale në Indeksin e Transparencës Buxhetore ka qenë më i larti që prej vitit 2017, kur edhe Instituti GAP ka filluar vlerësimin sistematik të transparencës buxhetore në nivel lokal.

Gjithsej, 22 nga 38 komuna kaluan mesataren prej 61 pikëve. Nëntë prej tyre arritën 100 pikët maksimale, përkatësisht komunat e Kaçanikut, Klinës, Lipjanit, Mitrovicës së Jugut, Prizrenit, Rahovecit, Shtimës, Skënderajt dhe Vushtrrisë. Komuna e Drenasit, Hanit të Elezit dhe Podujevës kanë treguar gjithashtu një nivel të lartë të transparencës buxhetore, secila me 95 pikë. Në këto raste, mungesa e një dokumenti në formatin e kërkuar ka ndikuar që të mos merret maksimumi i pikëve.

Pra gjatë vitit 2024 janë publikuar 227 dokumente buxhetore në faqet zyrtare të komunave, përfshirë raporte financiare, rregullore për ndarjen e subvencioneve dhe lista të përfituesve. Dokumentet më të publikuara ishin Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) dhe raportet financiare për vitin 2024. Sipas të dhënave të mbledhura, 32 komuna kanë organizuar së paku 123 dëgjime buxhetore në total, ndërsa gjashtë të tjera nuk kanë organizuar asnjë dëgjim buxhetor gjatë vitit 2024. Më konkretisht, 28 komuna kanë mbajtur të paktën katër dëgjime. Ndër dokumentet më pak të publikuara mbetet kartela analitike e kontos, e cila është bërë publike vetëm nga 16 komuna në ueb-faqet zyrtare të tyre dhe nga dy komuna është dërguar përmes kërkesës me email. Megjithatë, ky është një përmirësim krahasuar me vitin 2023.

Përmirësim të theksuar ka shënuar Komuna e Mitrovicës së Veriut, me një ngritje prej 46 pikësh dhe shtatë vendeve në renditje, ndërsa Komuna e Vitisë ka grumbulluar 90 pikë, apo 45 më shumë se një vit më parë. Në anën tjetër, disa komuna kanë shënuar rënie të ndjeshme, si Ferizaj (-47.5 pikë), Obiliqi dhe Malisheva (-25), Gjakova (-20) dhe Suhareka (-10).

Ndryshe komunat e Zubin Potokut dhe Zveçanit vazhdojnë të mos publikojnë asnjë dokument buxhetor dhe mbesin ndër komunat më jotransparente në nivel lokal.

Ndryshe ky raport tregon një përparim të rëndësishëm në transparencën buxhetore në nivel vendi, por, thekson nevojën për standardizim të formateve të publikimit dhe për forcim të mekanzimave të qëndrueshëm llogaridhënës në të gjitha komunat. /Lajmi.net/