Publikohet fotografia familjare e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan, në mesin e liderëve evropian edhe Kurti
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan ka publikuar fotografinë familjare të Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Jerevan të Armenisë. Ai ka thënë se është kënaqësi të mirëpret kolegët dhe partnerët e EPC-së në Jerevan. “Është një kënaqësi e madhe të mirëpresim kolegët dhe partnerët e EPC në Jerevan, i cili është bërë…
Lajme
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan ka publikuar fotografinë familjare të Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Jerevan të Armenisë.
Ai ka thënë se është kënaqësi të mirëpret kolegët dhe partnerët e EPC-së në Jerevan.
“Është një kënaqësi e madhe të mirëpresim kolegët dhe partnerët e EPC në Jerevan, i cili është bërë një qendër e gjallë për @EPCArmenia. Pres me kënaqësi diskutimet mbi temat kryesore dhe angazhimet drejt partneriteteve më të forta dhe premtuese”, ka shkruar Pashinyan.
Great pleasure to welcome EPC colleagues & partners in Yerevan which has become the beating heart of Europe for @EPCArmenia.
I look forward to our discussions on key topics & engagements towards stronger & promising partnerships. pic.twitter.com/64ZXEhiPjO
— Nikol Pashinyan (@NikolPashinyan) May 4, 2026
Në mesin e pjesëmarrësve në këtë Samit, është kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Kurti dje në margjinat e këtij samiti është takuar me Pashinyan, të cilin ka thënë se e ka falënderuar për kontributin e forcave të armatosura armene në KFOR, për bashkëpunimin në rritje ndërmjet dy vendeve tona dhe për ftesën në Konferencën Ndërkombëtare “Yerevan Dialogue”.
“Diskutuam mundësitë konkrete për thellimin e marrëdhënieve, me theks në bashkëpunimin ekonomik, investimet dhe tregtinë, si dhe në ndërtimin e urave të qëndrueshme përmes shkëmbimeve akademike e kulturore. Në një kohë kur sfidat janë gjithnjë e më të ndërlidhura, nevoja për aleanca ndërmjet demokracive bëhet edhe më e qartë. Ato nuk janë vetëm çështje qëndrimesh, por mekanizma konkretë që mundësojnë bashkërendim, besim dhe përgjigje të përbashkëta — në shërbim të paqes e prosperitetit, sigurisë dhe stabilitetit, në kontinentin evropian dhe përtej”, ka thënë Kurti.
Ai më pas ka njoftuar edhe për bashkëbisedime me liderë dhe përfaqësues të shteteve pjesëmarëse, me të cilët ka thënë se ka shkëmbyer ide, pikëpamje dhe qëndrime mbi zhvillimet aktuale në Evropë dhe më gjerë, si dhe mbi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
“Në këtë kuadër, bisedova me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, Presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, Zëvendëspresidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović, Kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun H. Sinirlioğlu, Kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot Zamora, Kryeministrin e Republikës së Irlandës Micheál Martin, anëtarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Bećirović, Kryeministren e Lihtenshtajnit, Brigitte Haas, si dhe me liderë të tjerë evropianë”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/