Publikohen votat, ja si u votua Shqipëria në “Eurovision”

Shqipëria nuk arriti të kualifikohej në finalen e "Eurovision 2022".

ShowBiz

15/05/2022 12:40

Ronela Hajati ka përfaqësuar Shqipërinë këtë vit me këngën “Sekret”, shkruan lajmi.net.

Edhe pse kjo këngë u komentua gjatë dhe mori shumë reagime edhe nga mediat ndërkombëtare, nuk arriti të prekë finalen e madhe të “Eurovisionit” që u mbajt në Torino të Italisë.

Sipas rezultateve, duket se kjo këngë ka pasur përkrahje nga publiku, por nuk ka arritur të bindë aspak juritë profesionale.

“Eurovision” ka publikuar rezultatet e të gjitha gjysmëfinaleve pasi ka përfunduar finalja mbrëmjen e kaluar.

Shqipëria në gjysmëfinalen e parë nga 17 shtete ka dalë e dymbëdhjeta me vota. Dhjetë shtetet e para kanë shkuar tutje.

Nga juritë e gjysmëfinalistëve, Shqipëria ka arritur të marrë pikë vetëm nga Greqia, edhe pse 12 gjithsej. Asnjë juri e asnjë shteti tjetër nuk i ka dhënë pikë Shqipërisë.

Ndërsa nga publiku i natës së parë, Zvicra i ka dhënë 8 pikë, Sllovenia 6, Bullgaria 1, Kroacia 2 pikë, Austria 2 pikë, Greqia 12 pikë, Armenia 2 pikë, Franca 5 pikë dhe Italia 8 pikë. Kështu, në total Shqipëria ka marrë 58 pikë, të pamjaftueshme këto për kualifikim në finale./Lajmi.net/