Publikohen detaje të pakos stimuluese prej 130 miliardë eurosh të Gjermanisë
Gjermania ka rënë dakord për një paketë të re stimulimi të brendshëm me vlerë 130 miliardë euro të mërkurën për krizën e koronavirusit, madje më e lartë sesa shuma që pritej.

Bota
Sipas medieve të huaja, ka qenë kancelarja gjermane Angela Merkel ajo që ka bërë të ditur masën gjatë një konference për shtyp pasi koalicioni qeverisës njoftoi stimulimin, shkruajnë mediet gjermane, transmeton lajmi.net.
“Madhësia e pakos do të arrijë në 130 miliardë euro për vitet 2020/2021, 120 miliardë prej të cilave do të shpenzohen nga qeveria federale”, deklaroi Merkel.
“Ne kemi gati pakon e stimulimit financiar, dhe përveç kësaj, tani po merremi me përgjegjësinë tonë për Evropën dhe dimensionin ndërkombëtar”, shtoi tutje ajo.
Partia CDU e Merkel, si dhe partnerët e koalicionit CSU e qendrës së majtë ranë dakord lidhur me pakon stimuluese.
Taksa kryesore e vlerës së shtuar (TVSH) do të zvogëlohet përkohësisht nga 19% në 16% për gjashtë muaj nga 1 korriku, bëri të ditur kancelarja e Gjermanisë.
Ndër masat e tjera janë edhe sigurimi i familjeve me 300 euro shtesë për fëmijë dhe dyfishimin e zbritjes në skemën e bonusit të blerësit të makinave. /Lajmi.net/