PTK prapë në Kuvend

Krijimi i Komisionit Hetimor për procesin e privatizimit të PTK’së do të diskutohet gjatë seancës së radhës në Kuvend, që pritet të mbahet këtë të enjte. Përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës polemizuan sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Lajme

14/10/2013 13:26

Themelimi i një Komisioni Hetimor për procesin e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës do të paraqitet në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës, që pritet të mbahet ditën e enjte.

Përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit kanë polemizuar lidhur me formimin e këtij Komisioni.

Megjithëse shumica e deputetëve të partive në pushtet e kishin bojkotuar seancën e kaluar, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, kësaj radhe ka deklaruar se është pro formimit të këtij Komisioni. Mirëpo, ai nuk ka lënë pa kritikuar partitë në opozitë se janë duke u munduar të bllokojnë këtë proces.

“Ne besojmë se kjo është një tentativë e bllokimit të këtij procesi, që, për mendimin tim, i shkaktohen dëme të jashtëzakonshme ekonomisë së vendit. Në këtë moment ne vlerësojmë se janë respektuar të gjitha procedurat e rregullta, e ka përcjellë një transparencë, por ne konstatojmë se edhe çmimi është i leverdishëm”.

“PDK i ka qëndrimet shumë të qarta. Ne bëjmë përpjekje për t’i respektuar dhe i kemi respektuar të gjitha procedurat. Kanë të drejtë 40 deputetë për të vënë nënshkrim për të kërkuar formimin e Komisionit Hetimor. Ne, edhe në të kaluarën, edhe tani, jemi duke e mbështetur një iniciativë të tillë”.

Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, i është kundërpërgjigjur Grabovcit, duke thënë se ky proces duhet të bllokohet përderisa vijueshmëria e tij është e paligjshme.

“Sipas LDK’së, ky Komision tashmë është i formuar, pasi që i kemi mbledhur 40 nënshkrime”.

“Ky është një proces joligjor, është pa vendim të organit kompetent, në këtë rast të Kuvendit të Kosovës. Është tentuar të kontrabandohet procesi i shitjes së PTK’së. Ne kemi pasur rastin të dëgjojmë se opozita dhe LDK është e interesuar që ta bllokojë procesin. Ne normalisht që jemi të interesuar ta bllokojmë, pasi që ka qenë një proces i paligjshëm. Ne jemi pro procesit të privatizimit”.

Visar Ymeri, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se procesi i privatizimit duhet të pezullohet përderisa janë duke u zhvilluar hetime. Ai tha se në rënien e çmimit të PTK’së është duke ndikuar Qeveria e Kosovës në mënyrë të qëllimtë.

“Ne mendojmë se procesi i privatizimit të PTK’së duhet të suspendohet gjatë kohës sa janë duke u zhvilluar hetimet. Vlerën kësaj ndërmarrje janë duke ia ulur në mënyrë artificiale këshilltarët e transaksionit, të cilët më shumë janë në interes të blerësve sesa në interes të Kosovës, si dhe ndërprerja e investimeve në këtë ndërmarrje nga Qeveria që nga viti 2010. Pra, fajin kryesor për uljen e çmimit të kësaj ndërmarrje e mban Qeveria, e cila duhet të japë përgjegjësi”.

Shefi i GP të AAK’së, Ardian Gjini, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të qëndrojnë në seancën e ardhshme.

“Ne e kemi mbështetur formimin e këtij Komisioni. Mendojmë se duhet të krijohet. Askush nuk duhet të frikësohet nga formimi i këtij Komisioni. Shpresojmë që deputetët të jenë në seancë dhe të mos e bojkotojnë. Ne e mbështesim privatizimin, por edhe formimin e Komisionit”.