“Pse të blej konflikt?”: Për hipotekat që shet banka s’ka interesim
Pothuajse të gjitha bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, kanë në shitje prona, të cilat janë lënë hipotekë nga huamarrësit që s’i kanë shlyer kreditë. Pavarësisht çmimeve më të lira se në treg, interesi i blerësve për to mungon – mesa duket për shkak të perceptimeve kulturore që lidhen me blerjen e pronave të poseduara.…
Lajme
Pothuajse të gjitha bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, kanë në shitje prona, të cilat janë lënë hipotekë nga huamarrësit që s’i kanë shlyer kreditë.
Pavarësisht çmimeve më të lira se në treg, interesi i blerësve për to mungon – mesa duket për shkak të perceptimeve kulturore që lidhen me blerjen e pronave të poseduara.
Banka Qendrore e Kosovës raporton për rritje të lehtë të kredive problematike.
Ekspertët, në anën tjetër, sugjerojnë masa legjislative për lehtësimin e shitjes së pronave të tilla.
Një shtëpi në fshatin Komoran të komunës së Drenasit, me rreth 1.000 m2, ofrohet në shitje nga një bankë komerciale në Kosovë.
Një tjetër bankë shet 20 ar tokë në Graçanicë, bashkë me shtëpi prej 220 m2 dhe një objekt biznesi.
Oferta të ngjashme ka pothuajse në të 11 bankat komerciale që operojnë në Kosovë, por shumë pak prej tyre i kanë publike çmimet.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa nga to – Raiffeisen Bank, Procredit Bank, Teb Bank, Banka Kombëtare Tregtare, NLB, Banka Ekonomike e Kosovës – për t’i pyetur se sa kushtojnë, por nuk mori përgjigje prej asnjërës.
Oferta e lartpërmendur në Graçanicë e ka publik çmimin prej 182 mijë eurosh.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me përfaqësuesin e një agjencie të patundshmërive në Kosovë, i cili tha se një ar tokë në këtë komunë sillet nga 10 mijë deri në 45 mijë euro, varësisht lokacionit.
Sipas tij, çmimet e të gjitha pronave që shiten nga bankat janë më të lira se ato në treg, por ai nuk ofroi ndonjë përqindje specifike.
Bankat e kontaktuara nga REL-i nuk treguan as a ka interesim për blerjen e hipotekave në shitje, por nga përgjigjet e disa qytetarëve të anketuar në Prishtinë, duket se jo.
“Nuk mund të blej prona të tilla, pasi nuk di se në çfarë vështirësish financiare ka kaluar ish-pronari”, thotë Arsimi.
“Edhe unë e kam hipotekë banesën ku jetoj. Paramendoni sikur të më paraqitet ndonjë vështirësi rrugës dhe të mos arrij ta kthej kredinë dhe të ma marrë banka dhe ta shesë… Jo, unë nuk mund ta blej edhe sikur të ma falnin”, thotë ai.
Besnik Ajvazi, punonjës në sektorin publik, e konsideron “blerje të konfliktit” investimin në pronat e tilla.
“Pse duhet blerë konflikti? Mund të vijë pronari dhe të më sjellë probleme”, thotë ai.
Çka janë kreditë problematike dhe sa është vlera e tyre?
Vlera e kredive në bankat komerciale të Kosovës ka arritur në 5.1 miliardë euro deri në prill të këtij viti, sipas Bankës Qendrore të Kosovës.
Kredi problematike konsiderohen ato që kredimarrësi nuk arrin t’i paguajë sipas marrëveshjes.
Ato përbëjnë 2.1 për qind të vlerës së përgjithshme të kredive, sipas BQK-së. Në prill të vitit të kaluar, kjo shifër ishte 2 për qind.
BQK-ja nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se ku janë të përqendruara kreditë problematike – te bizneset apo individët.
Nëse ato llogariten në euro, sipas profesorit të Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, bëhet fjalë për më shumë se 100 milionë.
“Çdo ditë kemi ankande të shumta, ku bankat i qesin në shitje pronat e lëna hipotekë të kredimarrëseve, me qëllim që të rimbursohet kredia e marrë më herët”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bektashi, i cili më herët ka shërbyer si anëtar i Bordit të BQK-së.
Për këto prona, sipas tij, nuk ka pasur asnjëherë interesim.
“Jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor e kemi një mentalitet, sipas të cilit, blerja e këtyre pronave konsiderohet shkelje e dinjitetit të njerëzve. Dhe, për shkak të ngatërresave eventuale, pjesa më e madhe e tyre nuk shiten… sepse askush nuk dëshiron të futet në mosmarrëveshje me ish-pronarin e asaj pasurie”, thotë Bektashi.
Marrë parasysh hezitimin e qytetarëve për t’i blerë këto prona nga bankat, ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë se kjo çështje duhet të rregullohet me një ligj të veçantë.
“Le t’i blejë shteti asetet e bankave dhe të bëhet pronar, e pastaj t’i shesë. Kur shteti i shet, qytetarët nuk hezitojnë t’i blejnë”, shprehet ai.
Se cilat janë mundësitë që kjo çështje të rregullohet në këtë mënyrë, REL-it nuk iu përgjigj as Zyra e Kryeministrit të Kosovës, as Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Bektashi dhe Mehmeti vlerësojnë se rreziku nga kreditë problematike bën që bankat, gjatë procedurave për marrje të kredive, ta zhvlerësojnë vlerën e patundshmërive të lëna hipotekë dhe të aplikojnë kritere të vështira për aprovimin e kredive.
Norma e interesit për kredi sillet rreth 6.1 për qind.
Në një raport që ka publikuar BQK-ja vitin e kaluar, thuhet se vlera e kredive problematike ka nisur të rritet nga fillimi i vitit 2022 për të vazhduar deri në shtator të vitit 2023.
Po atëkohë, në Kosovë ka nisur të rritet edhe vlera e inflacionit. Viti 2022 është mbyllur me normë mesatare inflacioni rreth 12 për qind.
Paga mesatare në vend, sipas Agjencisë së Statistikave, është 521 euro, ndërsa shkalla e papunësisë pak mbi 10 për qind.