Pse nuk iu dha paga e 13-të punëtorëve të RTK-së? – Kjo është përgjigja e Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi u pyet nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, lidhur me pagën e 13-të, ka dhënë sqarime për kriteret dhe bazën ligjore të këtij vendimi. Ai iu përgjigj pyetjes gjatë seancës, duke komentuar fillimisht edhe mënyrën se si ishte parashtruar ajo. Kurti theksoi se vendimi për pagën…

Lajme

24/04/2026 13:48

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi u pyet nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, lidhur me pagën e 13-të, ka dhënë sqarime për kriteret dhe bazën ligjore të këtij vendimi.

Ai iu përgjigj pyetjes gjatë seancës, duke komentuar fillimisht edhe mënyrën se si ishte parashtruar ajo.

Kurti theksoi se vendimi për pagën e 13-të bazohet në ligj dhe se përfitues janë vetëm punonjësit që janë pjesë e listës së pagave të organizatave buxhetore.

“Kisha një hamendësim fillimisht sepse për besë nuk ishte pyetje, meqenëse në fillim të pyetjes u konstatua. Cili është kuptimi që të bëni pyetje nëse në fillim Radio Televizionin e Kosovës e quani Radio Televizion të Vetëvendosjes? Nuk ka pyetje më aty. Me këtë konstatim kapital, kardinal, s’ka mundësi më për pyetje. Sidoqoftë, unë kam mirësinë që t’ju përgjigjem, duke qenë se e kam lexuar pyetjen tuaj paraprakisht. Vendimi numër 02/07 i Qeverisë së Republikës së Kosovës mbështetet në nenin 32 të ligjit numër 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, i cili jep kompetencë qeverisë që në përputhje me planifikimet buxhetore të ndajë mjete për pagën e 13-të për zyrtarët që kanë qenë të angazhuar së paku 12 muaj dhe që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në vendim. Në këtë kuptim, ligji përcakton bazën, ndërsa vendimi i qeverisë konkretizon kriteret. Vendimi përcakton në mënyrë të qartë se përfitues janë të gjithë të punësuarit që janë pjesë e listës së pagave të muajit mars 2026 në kuadër të organizatave buxhetore. E tash, Radio Televizioni i Kosovës është institucion publik i pavarur, i cili ushtron veprimtarinë e vet në mënyrë të pavarur dhe rregullon organizimin e brendshëm, përfshirë çështjet financiare dhe të personelit, përmes akteve të veta. Edhe pse financimi i RTK-së sigurohet përmes Kuvendit, i cili mbron autonominë institucionale dhe garanton realizimin e misionit të shërbimit publik, kjo nuk nënkupton përfshirje në listën e pagave të administratës shtetërore. Autonomia institucionale e RTK-së reflektohet edhe në faktin se çështjet që lidhen me kompensimet dhe shpërblimet e punonjësve rregullohen me rregullore të brendshme të RTK-së, në të cilat qeveria sërish nuk ndërhyn. Duke qenë se Radio Televizioni i Kosovës është institucion i pavarur dhe pagat e punonjësve të tij nuk ekzekutohen përmes listës së pagave të organizatave buxhetore, punonjësit e këtij institucioni nuk përfshihen në listën e përfituesve të përcaktuar me vendimin për pagën e 13-të, i cili i referohet vetëm atyre që janë pjesë e këtij sistemi të pagave”, u shpreh ai.