Pse Kosova nuk i ndihmoi vendet e përmbytura?

Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka ndihmuar rajonet e përmbytura në Koraci, Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në Serbi. Arbër Vllahiu thotë se ende duhet parë formën e ofrimit të kësaj ndihme, ndërsa, sipas Petrit Selimit, mosbashkëpunimi me Serbinë dhe Bosnjën e vështirëson edhe ofrimin e kësaj ndihme. 

Lajme

24/05/2014 10:49

Qeveria e Kosovës vazhdon të mos solidarizohet me vendet e rajonit të prekura nga vërshimet.

Deri më tani, nuk është ndërmarr asnjë hap për të dërguar ndihma qoftë në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci apo edhe në Serbi. Me këtë, Kosova mbetët vendi i vetëm në rajon që nuk ka dhënë ndonjë kontribut në këtë aspekt.

Gatishmëri për ndihmë ka treguar Ministri aktual i FSK-së, Agim Çeku, i cili i ka ofruar Serbisë që të pranojë asistencën e trupave të Forcave të Sigurisë së Kosovës, gjë që ka hasur në vesh të shurdhër.

Zëvendësministri i Jashtëm në largim, Petrit Selimi, ka thënë për gazetën serbe Danas se Kosova ka ofruar ndihmë përmes FSK-së, por se nuk është marrë ndonjë përgjigje nga autoritetet serbe.

Ai ka thënë se shpreson që pas përfundimit të zgjedhjeve, qeveritë e reja të Kosovës dhe Serbisë, do të vazhdojnë bashkëpunimin, qoftë edhe në rastet e katastrofave natyrore.

“Kosova ka hyrë në një fazë të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Parlamentare dhe shpresoj që Qeveritë e reja të Kosovë dhe Serbisë, do të vazhdojnë rrugën e dialogut për të pranuar bashkëpunimin e ndërsjellë në të gjitha fushat, përfshirë edhe bashkëpunimin në rastet e katastrofave natyrore”.

Këshilltari i Presidentes Atifete Jahjaga, Arbër Vllahiu ka thënë se Institucionet e Kosovës janë duke u munduar të gjejnë formën më adekuate që të ndihmojnë viset e prekura nga vërshimet në këto shtete fqinje.

“Insitutcionet e Kosovës me shqetësim po e përcjellë situatën në këto vende të rajonit të godituar nga vërshimet, duke u lutur për qytetarët e prekur nga kjo tragjedi. Ne jemi në komunikim ndër-institucional për të gjetur format e duhura për të ofruar ndihmën tonë në vendet e rajonit të prekur nga përmbytjet”, ka thënë për Danas Vllahiu.