PSD shkarkon Kaqusha Jasharin, punonte me metoda komuniste

Nënkryetarja e Partisë Social Demokrate e Kosovës, Kaqusha Jashari, është shkarkuar sot nga pozita që mbante në parti. Mbajtja peng e partisë dhe tendencat për të bërë puqe brenda partisë, janë dy arsyet që Kaqushës po i mbyllet dera në PSD.

Lajme

29/03/2014 20:49

Partia Social Demokratike e Kosovës (PSD) ka shkarkuar sot nga nga pozita e Nënkryetares, Kaqusha Jasharin. Mbajtja peng e partisë dhe tendencat për të bërë puqe brenda partisë, janë dy arsyet që Kaqushës po i mbyllet dera në PSD.

Kështu ka thënë për KosovaPress, kryetarja e kësaj partie, Majlinda Nushi.

“Ajo ka mbledhur një grup shokësh të vetë moshatarë të saj, dhe në emër të këshillit drejtues po pengojnë që të reformohet subjekti dhe ti rindërtohet një platformë programore, riorganizim që do ti hapte dyert PSD-së, që do ti sillte kuadro të reja. Jemi kundër çdo lloj bllokade që bëhet në prurjen e kuadrove të reja”, është shprehur Nushi për KosovaPress.

Kryetarja Nushi, ka thënë më tutje se ka 24 vjet që partia është ngulfatur dhe për këtë fajëson të shkarkuarën Kaqusha Jashari. Metodat e të shkarkuarës, kryetarja Nushi i ka quajtur si të komunizmit.

“Diçka që ngulfatet për 24 vjet sikur të jetë pronë private dhe ka vepruar për interesa private atëherë nuk e shoh shtyllë të partisë. E kanë mbajtur peng të disa individëve, fatkeqësisht njerëz që kanë punuar në forma të ish – sistemit, komunizmit”, ka thënë Majlinda Nushi.

Sipas saj, në çdo shtet demokratik dhe sidomos brenda partisë, demokracia zhvillohet vetëm kur hapet dera për ide të reja.

Bashkë me nënkryetaren Jashari, janë shkarkuar edhe katër anëtarë të tjerë të partisë Social Demokrate. Por kryetarja Nushi, nuk ka dashur të jap emrat dhe detajet për të shkarkuarit e tjerë.

(KosovaPress)