PSD: Dikush që e sulmon demokracinë dhe cenon fjalën e lirë nuk ta dorëzon pushtetin përmes konsultimeve

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas konferencës së sotme të kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se refuzimi është përgjigja e duhur ndaj Kurtit. “Refuzimi është përgjigja e duhur ndaj Kurtit. Kështu paska bërë sot Kryetari i LDK-së, z.Abdixhiku. Nuk po flasim thjesht për një përgjigje mohuese. Është renditja e arsyeve çfarë ka rëndësi. Abdixhiku…

Lajme

06/05/2025 17:25

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas konferencës së sotme të kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se refuzimi është përgjigja e duhur ndaj Kurtit.

“Refuzimi është përgjigja e duhur ndaj Kurtit. Kështu paska bërë sot Kryetari i LDK-së, z.Abdixhiku. Nuk po flasim thjesht për një përgjigje mohuese. Është renditja e arsyeve çfarë ka rëndësi. Abdixhiku e ka nisur mbarë duke filluar me sulmin ndaj demokracisë, lirisë së shprehjes, ka përmendur kapjen institucioneve të pavarura e kushtetuese, e deri te rrezikimi i sigurisë nacionale e aleancave strategjike ku mbështetet Kosova. Janë këto arsyet qenësore pse Kurti duhet refuzuar, dhe jo inatet që vijnë nga përditshmëria politike.”

PSD tutje thotë se propozimi i LDK-së është një rrugë e pamundur.

Nga kjo parti kanë thënë se “dikush që e sulmon demokracinë, që cënon fjalën e lirë, që kapë insitucionet e pavarura nuk ta dorëzon pushtetin përmes konsultimeve”.

“Por, fatkeqësisht duhet të themi se ky veprim është një veprim i duhur në kuadrin e një rruge plot mjegull e abstenim. Kjo sepse propozimi i LDK-së është një rrugë e pamundur. LDK po e propozon një Qeveri Nacionale të Tranzicionit. Sipas tyre, pas takimeve e konsultimeve të partive shqiptare dhe atyre nga komunitetet joshumicë, rruga përpara është thjesht pajtimi për një ekzekutiv pa Albin Kurtin. Nëse i marrim vlerësimet e Abdixhikut për punën katër vjeçare të Kurtit, dhe i vendosim ato përballë “zgjidhjes” së ofruar, do të shihnim së paku një kontradiktë logjike. Dikush që e sulmon demokracinë, që cënon fjalën e lirë, që kapë insitucionet e pavarura nuk ta dorëzon pushtetin përmes konsultimeve. Cili autokrat e ka dorëzuar pushtetin në tavolinë? Asnjë deri sot.”

PSD shton se ajo çfarë shohim në formë propozimi është “mungesë e gatishmërisë për të marrë përgjegjësi”.

“Abdixhiku nuk ka iluzione. Ky propozim nuk është rruga përpara. Çfarë shohim në formë propozimi, në fakt është një mungesë: mungesa e gatishmërisë për të marrë përgjegjësi. Quhet shumicë parlamentare e opozitës së kaluar që e krijon Qeverinë e re.”