Protesta në Tiranë “pushton” mediat botërore

Zëri i protestës në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u dëgjua përtej kufijve shqiptarë. Mediat ndërkombëtare si “Associated Press”, “Washington Post”, “The Telegraph” dhe “Anadolu” raportuan për mijëra qytetarë që u bashkuan në kryeqytetin shqiptar për të kërkuar drejtësi për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me Gjykatën e Hagës. “Associated Press” shkroi…

Lajme

17/10/2025 23:28

Zëri i protestës në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u dëgjua përtej kufijve shqiptarë. Mediat ndërkombëtare si “Associated Press”, “Washington Post”, “The Telegraph” dhe “Anadolu” raportuan për mijëra qytetarë që u bashkuan në kryeqytetin shqiptar për të kërkuar drejtësi për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me Gjykatën e Hagës.

“Associated Press” shkroi se “mijëra njerëz protestojnë në kryeqytetin e Shqipërisë kundër gjykatës së mbështetur nga BE që ndjek penalisht veteranët e luftës së Kosovës”.

Të premten, mijëra qytetarë dhe figura politike u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të protestuar kundër Gjykatës Speciale në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), transmeton albanianpost.

Protesta, e organizuar nën moton “Liri për çlirimtarët”, mblodhi qytetarë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare. Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe kryetarë partish politike, deputetë dhe përfaqësues të organizatave të veteranëve të luftës.

Tubuesit kërkuan lirimin e menjëhershëm të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, duke u përmendur se “nuk mund të barazohet lufta çlirimtare me krimet e pushtuesit”. Në shesh u panë shumë flamuj kombëtarë dhe pankarta me mbishkrime “Liri për çlirimtarët” dhe “Drejtësi, jo padrejtësi”.

Sipas organizatorëve, kjo ngjarje synon të dërgojë një mesazh uniteti mbarëkombëtar, ndërsa shumë nga folësit deklaruan se gjykimi në Hagë po shihet si selektiv dhe i padrejtë ndaj luftës së drejtë të popullit të Kosovës.

Protesta në sheshin “Skënderbeu” erdhi pas asaj të organizuar në Hagë të Holandës, ku mijëra qytetarë kërkuan lirimin e ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.