Protesta në Tiranë: 9 punonjës të policisë të lënduar, arrestohen 18 protestues
Policia e Shqipërisë njoftoi sot se deri në këto momente janë shoqëruar 18 shtetas, ndërsa 9 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore, pas protestës së zhvilluar para Kuvendit e cila u shoqërua me përplasje të forta dhe akte dhune. Protesta ka përshkallëzuar në tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit,…
Lajme
Policia e Shqipërisë njoftoi sot se deri në këto momente janë shoqëruar 18 shtetas, ndërsa 9 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore, pas protestës së zhvilluar para Kuvendit e cila u shoqërua me përplasje të forta dhe akte dhune.
Protesta ka përshkallëzuar në tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit, me incidente të shumta gjatë gjithë ditës, përfshirë bllokimin dhe rrethimin e hyrjeve të Kuvendit, duke mos lejuar daljen e deputetëve dhe ministrave pas seancës plenare.
Gjatë përplasjes janë hedhur vezë, shishe plastike dhe gurë në drejtim të automjeteve të zyrtarëve dhe forcave të policisë. Incidentet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, kur deputetët po mbërrinin në Kuvend, ndërsa një pjesë e protestuesve ka tentuar të thyejë perimetrin e sigurisë.
Një grup protestuesish ka arritur të kalojë kordonin e sigurisë pranë zonës së Akademisë së Shkencave, nga ku janë kryer sulme ndaj deputetëve, duke detyruar ndërhyrjen e policisë dhe shoqërimin e disa personave.
Po ashtu, automjeti i kryetarit të Kuvendit është goditur me miell dhe vezë, ndërsa protesta është shoqëruar me thirrje kundër përfaqësuesve të mazhorancës.
Situata është përshkallëzuar më tej pas ndërhyrjes së policisë për shpërndarjen e turmës, ku protestuesit kanë rrëzuar gardhin metalik dhe janë përplasur me efektivët, duke përdorur gurë dhe sende të forta. Policia ka përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Pas shpërndarjes së turmës, grupe të tjera protestuesish janë zhvendosur në zona të ndryshme të Tiranës, ku janë regjistruar incidente të tjera, përfshirë thyerjen e xhamave të një automjeti policie. Forcat e rendit kanë ndërhyrë sërish dhe kanë shoqëruar disa persona.
Në disa raste, protestuesit janë përballur edhe me deputetë në zona publike pranë Kuvendit, duke shkaktuar debate dhe përplasje verbale, raporton ATSH.
Policia e Shtetit vijon të jetë e pranishme në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë, ndërsa situata mbetet nën monitorim.