Protesta e paralajmëruar e bizneseve, Kurti: Koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar, nuk lejojmë të reja të vendosen

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot mbledhjen e 260-të me radhë. Këtë mbledhje, e ka nisur kryeministri në detyrë, Albin Kurti i cili ka folur në lidhje me vendimin e ZRrE-së për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike, e për të cilën ka thënë se janë 1 mijë e…

Lajme

29/05/2025 10:00

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot mbledhjen e 260-të me radhë.

Këtë mbledhje, e ka nisur kryeministri në detyrë, Albin Kurti i cili ka folur në lidhje me vendimin e ZRrE-së për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike, e për të cilën ka thënë se janë 1 mijë e 200 ndërmarrjeve, të cilat siç ka thënë Kurti përbëjnë rreth 1% të ndërmarrjeve në vend.

Ai ka thënë se më së shumti preken 300 ndërmarrje që janë prodhuese dhe janë shpenzues të mëdhenj, e për të cilët thotë se i mirëkupton brengat e tyre.

“Ligji për energji elektrike është miratuar që nga viti 2016. Faza e parë e liberalizimit ka filluar në vitin 2017, me daljen e tri ndërmarrjeve të mëdha në treg ndërkaq faza e dytë është shtyrë disa herë në tetë vitet e fundit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut  e kanë zbatuar këtë reformë vite më parë, e duke përfshirë një pjesë shumë më të madhe të bizneseve, ndërkaq bizneset tona kanë përfituar, ndërkohë nga tarifa të rregulluara dhe subvencione direkte të faturave të bizneseve në vlerë prej 26 milionë euro. Kësisoj edhe pse sfida ekziston, bizneset tona kanë krijuar avantazh konkurrues dhe kanë pas më shumë kohë për tu përgatitur për ndikimin e daljes në treg”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me prodhuesit dhe odat për të sjell komunikim më të mirë mes bizneseve, rregullatorit dhe furnizuesve që të ketë informim të mirë dhe rritje të konkurencës, që sipas Kurtit i shërben bizneseve dhe interesit publik.

Ai ka folur edhe në lidhje me protestën që do të mbahet sot nga bizneset, shkruan lajmi.net.

“Ndërkohe përderisa ne po flasim këtu, Oda Ekonomike e Kosovës që do të duhej të qëndronte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton të bllokoj rrugët magjistrale me një kërkesë të vetme, shtyrjen e zbatimit të liberalizimit të tregut. Shtyrjen e vendimit po e kërkojnë me justifikimin se për një vit do të përgatiten duke injoruar faktin që nga ana e tyre nuk kanë bërë asnjë përgatitje për 8 vitet e shkuara përderisa është shtyrë nga viti në vit ki proces. Ajo çfarë Oda Ekonomike e Kosovës nuk po iu tregon është se shtyrja e vendimit nuk e zgjidh problemin e tyre, por veçse e bart koston e energjisë të këtyre 1200 ndërmarrjeve të faturat e secilit prej jush, secilës familje dhe mbi 100 mijë biznese tjera më të vogla që janë më pak të fuqishme e të zëshme se disa. Për të mbrojtur 1% të ndërmarrjeve më të fuqishme, në kurriz të 99% dhe familjeve anë e mban Kosovës, ata po duan që të bëjnë barrikada në hyrje të Prishtinës, por koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar, i kemi hequr ato kudo ku kanë qenë dhe jemi zotuar se nuk do të lejojmë më të reja të vendosen”, ka thënë Kurti.

Ai i ka bërë thirrje Odave dhe bizneseve që të mendojnë për efiçiencën dhe optimizimin e shfrytëzimit të energjisë. /Lajmi.net/