Pronari i “Onima” paralajmëron konferencë për shtyp dhe publikimin e videove dhe provave

Erkand Shabani nga kompania ONIMA ka reaguar publikisht përmes disa postimeve në rrjetet sociale lidhur me rastin që përfshin artistin Besart Kelmendi – Gjesti. Në reagimin e tij, Shabani ka bërë të ditur se tashmë ka denoncuar pranë organeve të rendit disa fakte të reja që, sipas tij, lidhen me lëvizje të organizuara të automjeteve…

ShowBiz

16/03/2026 15:12

Erkand Shabani nga kompania ONIMA ka reaguar publikisht përmes disa postimeve në rrjetet sociale lidhur me rastin që përfshin artistin Besart Kelmendi – Gjesti.

Në reagimin e tij, Shabani ka bërë të ditur se tashmë ka denoncuar pranë organeve të rendit disa fakte të reja që, sipas tij, lidhen me lëvizje të organizuara të automjeteve pranë zyrave të ONIMA-s.

Sipas Shabanit, këto informacione duhet të merren në konsideratë nga prokuroria si element shtesë në vlerësimin e rrezikshmërisë ndaj tij personalisht dhe ndaj stafit të kompanisë.

Ai shton se në bashkëpunim me avokatin e tij do të dorëzojnë edhe fakte të tjera që lidhen me veprime të grupeve të ndryshme që, sipas tij, kanë tentuar të sigurojnë përfitime financiare nga ONIMA përmes kërcënimeve të armatosura.

Në reagimin e tij, Shabani thekson se nuk kishte dashur të fliste publikisht për një ngjarje që, sipas tij, përbën vepër të qartë kriminale dhe që ka ndodhur në zyrat e ONIMA-s.

Shabani gjithashtu pretendon se disa artistë kanë qenë pjesë e një fushate që, sipas tij, ka nxitur arsyetimin e dhunës dhe shpërndarjen e gjysmë të vërtetave në publik.

Në reagimin e tij ai përmend disa emra artistësh, duke përfshirë Zanfina Ismailin, Tayna-n, Yll Limanin, Vesa Lumën, Xheneta Fetahun, G Banin, Pleurat Zeksyla-n, Oriola Marashin dhe Besa Kokëdhimën. Sipas tij, këto çështje do të trajtohen përmes institucioneve dhe procedurave ligjore përkatëse.

Në reagimin e tij, Shabani thekson se kompania do të ndjekë çdo deklaratë publike që lidhet me këtë rast dhe se për çdo rast që përbën shkelje të ligjit do të ndërmerren masa përkatëse.

Ndër të tjera, ai paralajmëron se javën e ardhshme ONIMA do të mbajë një konferencë për shtyp, ku sipas tij do të publikohen video nga momenti i sulmit të pretenduar të Gjestit, si dhe raporte financiare që, sipas tij, tregojnë se kompania nuk i detyrohet asnjë shumë këtij artisti. Në këtë konferencë pritet gjithashtu të publikohen edhe informacione të tjera që lidhen me këtë çështje.