Promovohet pjesa e dytë e librit të aktorit Bekim Fehmiu “Shkëlqim dhe tmerr”
Ky libër është pjesë e bashkëpunimit në mes projektit “Mirëdita - dobar dan!” dhe Shtëpisë Botuese Samizdat B92.
ShowBiz
Ndër të pranishmit në promovimin e sotëm ishte edhe drejtori i shtëpisë botuese Samizdat B92 Veran Matic, i cili tha para të pranishmëve se pas leximit të librit, ka filluar ta pëlqej jetën e Bekimit të fuqishëm, siç e quajti ai, dhe theksoi se jeta e tij është infektuese për të cilën nuk mund të flasësh shkurtimisht
Të pranishëm për këtë promovim ishin familjarë, dashamirë dhe miq, të cilët e dëgjuan me vëmendje çdo fjalë që u tha, e çdo fjali që u lexua për Bekimi Fehmiun. “Vetë vendi dhe koha në të cilën jetonte i kishin rezervuar atij përmbushjen e një misioni të madh në artin e shtatë, me të cilin art ngjashëm si titulli i librit të tij “Shkëlqim dhe tmerr”, si një gladiator i gadishullit ilirik do të identifikohej gjatë gjithë jetës së tij. Ai në vitet e fundit të jetës së tij na e la në dy vëllime dorëshkrimet e librit të tij “Shkëlqim dhe tmerr”, nëse pjesa e parë e këtij libri është saga e rinisë, fëmijërisë së hershme dhe familjes së tij, pjesa e dytë vjen si triler marramendës me krejt dritë hijet e jetës”, u shpreh regjisori Bekim Lumi i cili njëherësh ishte edhe lektor dhe korrektues i këtij libri.
Për fund përkthyesi i librit nga serbishtja në gjuhën shqipe, Anton Berishaj tha se është shumë i nderuar që iu dha rasti ta përkthej një libër të tillë me plot vlera. “Fillimisht e kisha pak kompleks të merrja një libër që qëndron në mesin e autobiografisë apo një ditari, por sidoqoftë shpresoj që kemi arritur ta bëjmë një përkthim korrekt”, u shpreh për fund Berishaj. Rikujtojmë se “Shkëlqim dhe tmerr”, do të promovohet edhe nesër në qytetin e Prizrenit në kinemanë DokuKino. /kultplus

