Prokuroria Themelore në Gjakovë me vetëm 10 prokurorë, mbi 2 mijë lëndë të zgjidhura gjatë 2025
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka funksionuar me vetëm 10 prokurorë gjatë vitit 2025, ndërsa ka zgjidhur gjithsej 2 mijë e 328 lëndë. Këto të dhëna i bëri të ditura kryeprokurori i kësaj prokurorie, Enis Gashi, gjatë raportimit të hënën në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK). Ai prezantoi edhe rezultatet sipas departamenteve, duke bërë…
Lajme
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka funksionuar me vetëm 10 prokurorë gjatë vitit 2025, ndërsa ka zgjidhur gjithsej 2 mijë e 328 lëndë.
Këto të dhëna i bëri të ditura kryeprokurori i kësaj prokurorie, Enis Gashi, gjatë raportimit të hënën në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Ai prezantoi edhe rezultatet sipas departamenteve, duke bërë të ditur se në Departamentin për Krime të Rënda ishin bartur 112 raste.
“Numri i prokurorëve në Prokurorinë Themelore në Gjakovë gjatë 2025 ka funksionar me 10 prokurorë. Sa i përket performancës, lëndë të bartura në departamentin për krime të rënda 112 raste, gjatë 2025 kemi pranuar 131 raste me 225 persona dhe gjatë këtij viti janë zgjidhur 155 raste me 244 persona. Për të mitur lëndë të bartura kanë qenë gjithsej 327 lëndë me 589 persona dhe janë zgjidhur 228 lëndë. Në departamentin e përgjithshëm 618 lëndë. Gjithsej të zgjidhur në kuadër të prokurorisë janë gjithsej 2 mijë e 328 lëndë me 3 mijë e 120 persona”, tha ai.
Si sfidë e numrit të vogël të prokurorëve, i njëjti ishte detyruar që të mbaj kujdestari në departamentin për të mitur dhe për krime të rënda, ku ende po e vazhdon.
“Unë në vazhdimësi kam mbajt kujdestari edhe nga ud kryeprokuror edhe tani mbaj kujdestari në departamentin për krime të rënda, kam mbajtur ehe në departamentin për të mitur, në mungesë të prokurorëve. Lëndët që kanë qenë në masë, i kam proceduar deri në fund”, tha ai.
Ndërsa, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi duke bërë të ditur se është Prokuroria me më së paku prokurorë, tha se në procesin e rikrutimit do të shtohen prokurorët në Gjakovë.
“E di që në raport me numrin e prokurorëve, e keni numrin më të vogël në sistemin prokurorial, nuk ka prokurori me numër më të vogël se ju. Po besoj që në këtë proces që kemi të rikrutimit me prokuror të rinj, do të kemi parasysh këtë numër të vogël, të zëvendësojmë këtë numër të vogël”, tha ai.
Në fund, raportimi i Gashit, u miratua nga anëtarët e Këshillit.