Prokuroria Speciale “konak” njerëzve të pushtetit – brenda dy dite u intervistuan Peci, Vitia dhe Pacolli
Prokuroria Speciale në dy ditët e fundit ka pasur punë me njerëz të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë Kurti 2. Sot dhe dje ky institucion i drejtësisë ka intervistuar tri personazhe të njohura politike, transmeton lajmi.net. Ish-ministri i Bujqësisë, tash kryetar i komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci është intervistuar sot nga…
Lajme
Prokuroria Speciale në dy ditët e fundit ka pasur punë me njerëz të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë Kurti 2.
Sot dhe dje ky institucion i drejtësisë ka intervistuar tri personazhe të njohura politike, transmeton lajmi.net.
Ish-ministri i Bujqësisë, tash kryetar i komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale në lidhje me rastin e granteve.
Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
Pas intervistimit, Peci tha se ka qenë transparent para Prokurorisë.
“Në prokurori, sikur gjithmonë gjatë jetës sime, isha transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me shpjegimet rreth çështjes dhe rolit që kam pasur si Ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.”, tha ndër të tjera Peci.
Për këtë çështje është intervistuar dje edhe deputetja e VV-së, Fitore Pacolli. Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net Prokuroria Speciale.
Përveç Pecit, një tjetër ministër i Qeverisë Kurti është intervistuar. Bëhet fjalë për ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Prokuroria Speciale ka konfirmuar raportimin e lajmi.net në lidhje me intervistimin e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.
“z.Arben Vitia, me autorizim të Prokurorisë Speciale është intervistuar lidhur me një rast që kjo prokurori e ka në trajtim”, thuhet në përgjigje.
Por nga Prokuroria Speciale nuk kanë dashur të japin detaje në lidhje me çështjen për të cilën po hetohet i lartcekuri.
“Me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione”,thuhet tutje.
Por siç ka mësuar lajmi.net intervistimi i Arben Vitisë në fakt lidhet me çështjen e spitalit të Ferizajt.
Gurthemeli i këtij spitali ishte nisur më 2018 dhe ishte planifikuar të përfundonte për 600 ditë, në mënyrë që mbi 300 mijë banorë të marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore.
Ky spital me 22 mijë metra katrorë mbeti në gjysmë dhe s’u realizua më asgjë në të.
Përveç këtyre, në “konak” të Prokurorisë Speciale ndër vite ka pasur edhe figura tjera të Qeverisë Kurti.
I ftuar për të dëshmuar në këtë Prokurori është edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti për skandalin me rezervat shtetërore, por ai po e sfidon drejtësinë duke i kërkuar Prokurorisë që dëshminë të vijnë të ja marrin në zyrën e tij./lajmi.net/