Prokuroria Speciale jep detaje për aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve: I shkaktuan dëm buxhetit afër 3 milionë euro

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj katër personave, me inicialet Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi, nën dyshime për përfshirje në disa vepra penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare. Sipas njoftimit, të pandehurit Rozeta Hajdari, Irfan…

Lajme

11/11/2025 18:36

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj katër personave, me inicialet Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi, nën dyshime për përfshirje në disa vepra penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Sipas njoftimit, të pandehurit Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara akuzohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Ridvan Muharremi akuzohet për “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton lajmi.net

Hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, të pandehurit Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara, në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm financiar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën 2,912,134.78 euro.

Po ashtu, këta të pandehur akuzohen se kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare, duke vënë në dispozicion pa autorizim informacionin për vendndodhjen e rezervave shtetërore, e cila përbën sekret shtetëror sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave.

Ndërkaq, i pandehuri Ridvan Muharremi dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale duke ndërmjetësuar, negociuar drejtpërdrejt dhe rekomanduar operatorë ekonomikë për përfshirje në proceset që lidhen me rezervat shtetërore./Lajmi.net/