Prokuroria Speciale interviston Enver Dugollin për nxitje të urrejtjes- më parë përmendi disa shqiptarë që tha se punuan për UDB

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh ish i burgosuri politik, Enver Dugolli është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale. Kjo gjë u bë e ditur nga vetë Dugolli, i cili tha se sot u intervistua si i pandehur për akuza të “nxitjes së urrejtjes”. Padi kundër tij është ngritur nga pjesëtari i Policisë së…

Lajme

30/09/2025 13:12

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh ish i burgosuri politik, Enver Dugolli është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale.

Kjo gjë u bë e ditur nga vetë Dugolli, i cili tha se sot u intervistua si i pandehur për akuza të “nxitjes së urrejtjes”.

Padi kundër tij është ngritur nga pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, i biri i Ajet Istogut.

Dugolli thotë se gjatë viteve ’80 ka qenë viktimë e dhunës fizike, psikike dhe emocionale nga Ajet Istogu dhe se kjo dhunë ka lënë pasoja edhe në shëndetin e tij.

“Padia është ngritur nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, djali i ish-oficerit famëkeq të UDB-së, Ajet Istogu, i njohur për torturat e rënda ndaj të rinjve, intelektualëve dhe punëtorëve shqiptarë gjatë viteve ’80”, ka shkruar Dugolli.

Dugoll tha se për familjarët që ngrenë padi, nuk ak kërkuar të mbrojnë krimet e të afërmit të tyre- por të tregojnë pak dinjitet, qoftë edhe në formën e heshtjes.

“Unë nuk kam çfarë të tërheq nga ajo që kam deklaruar. Përkundrazi, kam bërë denoncime publike dhe do të vazhdoj t’i bëj. Unë prisja të intervistohesha si viktimë dhe dëshmitar i krimeve të rënda të kryera ndaj të burgosurve politikë … Nuk e kam pritur kurrë të intervistohem për këso lloj pretendime …”, ka shkruar Dugolli.

Duhet përkujtuar se Dugolli në disa deklarime të mëhershme ka përmendur emrat e disa shqiptarëve që sipas tij kanë punuar për UDB-në dhe kanë kryer tortura.

Ndër emrat që ka përmendur janë: Ajet Istogu, Isa Bunjaku, Lutfi Ajazi, Hamëz Hajra dhe Tahir Shala./Lajmi.net/