Prokuroria Speciale e Kosovës kërkon nga SPAK hetimin e pasurive të 89 kosovarëve në Shqipëri

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar për Lajmi.net se ka parashtruar kërkesë pranë Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri (SPAK) për nisjen e hetimeve lidhur me verifikimin e pasurive të mundshme në territorin e Shqipërisë të 89 shtetasve kosovarë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale. Sipas Prokurorisë Speciale, kërkesa është bërë në kuadër…

Lajme

26/12/2025 19:21

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar për Lajmi.net se ka parashtruar kërkesë pranë Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri (SPAK) për nisjen e hetimeve lidhur me verifikimin e pasurive të mundshme në territorin e Shqipërisë të 89 shtetasve kosovarë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.

Sipas Prokurorisë Speciale, kërkesa është bërë në kuadër të ndihmës juridike ndërkombëtare dhe ka për qëllim identifikimin e pasurive që mund të jenë krijuar nga të ardhura të paligjshme nga personat që janë subjekt i hetimeve.

“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale ju konfirmon se ka parashtruar kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare pranë autoriteteve të drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, për ndihmë në identifikimin e pasurive për të pandehurit që janë subjekt hetimi”, kanë bërë të ditur nga Prokuroria Speciale për lajmi.net

Kërkesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës është miratuar nga Gjykata e Posaçme në Shqipëri, e cila i ka dhënë autorizim SPAK-ut që të zhvillojë hetime për llogari të autoriteteve kosovare.

Ndërkohë, sipas raportimeve në mediat shqiptare, SPAK është duke hetuar 31 persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash. Të dyshuarit janë identifikuar përmes komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, bazuar në të dhëna të siguruara nga autoritetet e drejtësisë në Belgjikë dhe Francë.

Hetimet nuk përfshijnë vetëm pasuritë e këtyre 31 personave, por edhe të 58 personave të tjerë, kryesisht familjarë të tyre, në emër të të cilëve dyshohet se mund të jenë regjistruar pasuri të paligjshme.

Në kuadër të kësaj kërkese, SPAK do të verifikojë pasuritë e mundshme të paluajtshme në Shqipëri, si dhe do të hetojë nëse këta persona kanë hapur llogari bankare në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri./Lajmi.net/