Prokuroria Speciale e konfirmon se Lipovica u intervistua si i pandehur në rastin e “rezervave shtetërore”

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se ish-sekretari i MINT-it, Irfan Lipovica është intervistuar sot. Intervistimi i Lipovicës sipas Prokurorisë Speciale është bërë në cilësinë e të pandehurit,në kuadër të hetimeve që po bëhen në rastin e njohur si “ Rezervat shtetërore”. “Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës…

Lajme

29/07/2025 13:39

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se ish-sekretari i MINT-it, Irfan Lipovica është intervistuar sot.

Intervistimi i Lipovicës sipas Prokurorisë Speciale është bërë në cilësinë e të pandehurit,në kuadër të hetimeve që po bëhen në rastin e njohur si “ Rezervat shtetërore”.

“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se z.Irfan Lipovica është ftuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Rezervat shtetërore”,thuhet në përgjigjen e prokurorisë për lajmi.net.

Sipas të njëjtëve, për veprimet e tjera në lidhje me rastin detajet do të jepen në vazhdimësi.

Derisa rasti është në fazën e hetimeve, për veprimet e tjera, publiku do të njoftohet me kohë”.

Irfan Lipovica është një nga tre të dyshuarit për rastin e rezervave shtetërore, për të cilin rast, të dyshuar janë edhe afaristi Ridvan Muharremi dhe zyrtari tjetër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hafiz Gara.

Lipovica dhe Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar më 18.08.2023 nën dyshimin për veprat “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara ishin liruar nga masa e paraburgimit me Vendimin e Apelit më 31.08.2023, pasi të njëjtit gjendeshin nën këtë masë nga 19.08.2023.

Pavarësisht intervistimit që iu bë sot, Lipovica zgjodhi që pas daljes nga Prokuroria të mos flasë asgjë në lidhje me çështjen./Lajmi.net/