Prokuroria Speciale deklarohet për intervistimin e ministrit në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitisë
Prokuroria Speciale ka konfirmuar raportimin e lajmi.net në lidhje me intervistimin e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia. Ashtu siç edhe u raportua, Prokuroria bëri të ditur se është intervistuar Vitia. “z.Arben Vitia, me autorizim të Prokurorisë Speciale është intervistuar lidhur me një rast që kjo prokurori e ka në trajtim”, thuhet në përgjigje.…
Lajme
Prokuroria Speciale ka konfirmuar raportimin e lajmi.net në lidhje me intervistimin e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ashtu siç edhe u raportua, Prokuroria bëri të ditur se është intervistuar Vitia.
“z.Arben Vitia, me autorizim të Prokurorisë Speciale është intervistuar lidhur me një rast që kjo prokurori e ka në trajtim”, thuhet në përgjigje.
Por nga Prokuroria Speciale nuk kanë dashur të japin detaje në lidhje me çështjen për të cilën po hetohet i lartcekuri.
“Me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione”,thuhet tutje.
Por siç ka mësuar lajmi.net intervistimi i Arben Vitisë në fakt lidhet me çështjen e spitalit të Ferizajt.
Gurthemeli i këtij spitali ishte nisur më 2018 dhe ishte planifikuar të përfundonte për 600 ditë, në mënyrë që mbi 300 mijë banorë të marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore.
Ky spital me 22 mijë metra katrorë mbeti në gjysmë dhe s’u realizua më asgjë në të.
E kjo çështje dhe ankesat e shumta në lidhje me të për keqpërdorime të mijëra eurove kanë bërë që të intervistohen disa persona.
E për këtë çështje Arben Vitia u deklarua sot edhe para mediave.
Vitia shkurtimisht e pranoi se është intervistuar por duke mos dhënë detaje shtesë, por se tha do sqarohet nga Prokuroria.
“Shumë shpejtë besoj që do të sqarohet dhe nga Prokuroria Speciale dhe nga unë”, deklaroi ai.
Kurse para dy vitesh, Arben Vitia tha se spitali do të jetë i përfunduar shumë shpejtë, ky deklarim doli të jetë gënjeshtër.
Gjatë një takimi që kishte pasur me kreun e Ferizajt asokohe, por edhe tani Kryetar i Komunës, Arben Vitia shprehej i bindur se ky spital do bëhet shpejtë e Aliu duket se në fakt e besonte.
“Ferizaj vazhdon të ketë një situatë të tillë edhe sot, pavarësisht se në kohën e pandemisë e kemi menaxhuar me sukses falë bashkëpunimit të të gjitha niveleve të shëndetësisë, primar, sekondar dhe terciar, por Ferizaj mbetet me 3400 m2 të spitalit regjional të Ferizajt.Lajmi i mirë është se jemi dakorduar për dy çështje jetike për Ferizajn, ndërtimi i Spitalit Regjional të Ferizajt dhe ndërtimi i QKMF-së së re. Jemi dakorduar që këto çështje të mbyllen si procese. Shëndetësia e Ferizajt është me kapacitete të kufizuara edhe me resurse humane të të gjitha kategorive, prandaj ndërtimi i spitalit dhe QKMF-së do të plotësohen me stafin mbështetës”,deklaronte Aliu.
Ndërsa, ministri Vitia tha se punimet do të fillojnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që të zgjidhet ky problem.
“Është në vijë buxhetore, nuk ka qenë lehtë as për mua. Në 2020 kur kam ardhur ka qenë ky problem në tavolinën time, e përmenda edhe në 2021 njësoj. Kjo është arsyeja pse jemi sot këtu, menjëherë kanë filluar disa procedura sepse për shkak të reshjeve, të kohës, spitali ishte tash nën dhe kemi filluar menjëherë si ministri që njëherë ta zbrazim ujin.Sa më shpejt që është e mundur do të fillojnë punimet, apo do të vazhdojnë në fakt punimet në ndërtesën aktuale, thoshte Vitia asokohe./Lajmi.net/