Prokuroria nuk ushtron ankesë ndaj vendimit për lirimin e Gërvallës nga akuza për mosdeklarim të pasurisë
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se nuk kanë ushtruar të drejtën e ankesës ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për lirimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla nga akuza për mosdeklarim të pasurisë. Kështu ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Prokuroria Themelore në Prishtinë. “Prokurori i shtetit në konsultim me…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se nuk kanë ushtruar të drejtën e ankesës ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për lirimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla nga akuza për mosdeklarim të pasurisë.
Kështu ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Prokurori i shtetit në konsultim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, bazuar sipas dispozitave të Kodit të Procedurës penale të Republikës së Kosovës, nuk kanë ushtruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, sepse nuk mund të ketë rezultat pasi që Gjykata Supreme ka marrë aktgjykim lirues”, thuhet në përgjigje e Prokurorisë.
Në përgjigjen e dhënë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nuk është specifikuar se në cilin rast është nxjerrë aktgjykimi lirues nga Supremja.
Ndryshe, në rastin ndaj ish-prodekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Ibrahim Rrudhani, i cili ishte dënuar nga Themelorja me 6 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë për mosraportim të saktë të pasurisë, dhe se vendimi ishte ndryshur nga Apeli, duke e dënuar me 300 euro gjobë, Supremja e kishte liruar nga akuza.
Sipas vendimit të Supremes ndaj Rrudhanit, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se në rastet kur ka mosdeklarim të pasurisë nga zyrtari për shkak të neglizhencës, paraqet veprim të kundërligjshëm por se tërheq përgjegjësi kundërvajtëse dhe jo vepër penale.
“Nga përshkrimi ligjor i ligjit-përkatësisht nenit 17, qartë rezulton, se për mosdeklarim apo deklarim të pasaktë të pasurisë, të përfituar në mënyrë të ligjshme, nga neglizhenca e deklaruesit, paraqet veprim të kundërligjshëm, por tërheq përgjegjësi kundërvajtëse e assesi vepër penale, për faktin se norma shprehet “nëse nuk është vepër penale”, thuhet në vendimin e Supremes.
Andaj, sipas Supremes personi zyrtar do të ishte penalisht përgjegjës vetëm në rast se provohet se pasurinë nuk e ka deklaruar ose e ka deklaruar rrejshëm.
“Sipas këtij neni, zyrtari publik është penalisht përgjegjës, vetëm po që se pasurinë nuk e ka deklaruar fare apo e ka deklaruar rrejshëm (p.sh. kinse e ka trashëguar, ju ka dhuruar etj). Ngase e ka të përfituar në mënyrë të paligjshme dhe nuk mund të arsyetoj, se ka i ka ardh kjo pasuri” tutje, thuhet në vendim.
Deri tash në praktikën gjyqësore nuk është proceduar asnjë rast i mosdeklarimit të pasurisë apo deklarimitjo të saktë, për përgjegjësi kundërvajtëse, vlerësoi Supremja, duke pyetur se pse ndodh kjo derisa ka dispozitë ligjore që parasheh një gjë të tillë.
“Deri tani, në asnjë rast, për mos deklarim të pasurisë apo deklarimit jo të saktë, nuk janë iniciuar procedura për kundërvajtje siç e parasheh ligji, pse po ekzistuakan këto dispozita ndëshkuese për kundërvajtje?, ose kur do vihen në zbatim këto dispozita ndëshkuese për kundërvajtje në praktikë?”, thuhet tutje në atë vendim.
Ndryshe “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar mbi vendimin e plotë të gjykatës për rastin ndaj Gërvallës.
Lidhur me akuzën për mosraportim të saktë të pasurisë, në seancën fillestare më 7 mars 2024, Gërvalla ishte deklaruar e pafajshme.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 31 janar 2023 nga prokurori Astrit Gashi, Gërvalla ngarkohej se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj. Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.
Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2. Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.
Me këto veprime, Gërvalla akuzohej se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023 kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës. Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.
Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare. Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.