Prokuroria në Prizren vazhdon hetimet me grupin e dytë të dyshuarve për manipulim të votave – Po intervistohen në Polici
Prokuroria Themelore në Prizren, bashkë me Policinë e Kosovës, pasi kanë pranuar informatat publike në lidhje me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, saktësisht në Qendrën Komunale të Numërimit në këtë Komunë, po i vazhdojnë hetimet e zgjeruara në lidhje me grupin e dytë të dyshuarve në Prizren.…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren, bashkë me Policinë e Kosovës, pasi kanë pranuar informatat publike në lidhje me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, saktësisht në Qendrën Komunale të Numërimit në këtë Komunë, po i vazhdojnë hetimet e zgjeruara në lidhje me grupin e dytë të dyshuarve në Prizren.
Ata përmes një komunikate për media, kanë treguar se për çfare vepra penale dyshohen.
“Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se detaje do të jepen pas intervistimit të të dyshuarve në Polici.
“Duke marrë parasysh interesimin e madh të mediave, Prokuroria Themelore në Prizren njofton se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore”, kanë thënë mes tjerash në komunikatë.
Të premtën, Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë arrestuar 109 persona nën dyshimin për manipulim të votave.
Aksion tjetër për këtë vepër penale, është zhvilluar edhe dje nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, në Komunën e Malishevës, ku janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë 15 komisionerë. /Lajmi.net/