Prokuroria në Prizren deklarohet pasi një pjesëtar i komunitetit rom u sulmua fizikisht: Aktualisht po analizohen video-incizimet
Një i ri i komunitetit rom është sulmuar brutalisht para një jave në Prizren. Lidhur me këtë rast, tashmë është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Prizren, nga ku u tha janë siguruar video-incizime, të cilat po analizohen. “Lidhur me rastin, konfirmojmë se viktima e përfshirë në rastin në fjalë është pjesëtar i komunitetit rom. Prokuroria…

Lajme
Një i ri i komunitetit rom është sulmuar brutalisht para një jave në Prizren.
Lidhur me këtë rast, tashmë është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Prizren, nga ku u tha janë siguruar video-incizime, të cilat po analizohen.
“Lidhur me rastin, konfirmojmë se viktima e përfshirë në rastin në fjalë është pjesëtar i komunitetit rom. Prokuroria Themelore në Prizren, ka hapur rastin dhe janë ndërmarrë veprime hetimore fillestare. Aktualisht janë siguruar video-incizimet të cilat po analizohen nga prokuroria dhe policia. Pasi të bëhet identifikimi i personave të dyshuar, do të ndërmerren veprimet e mëtejme në përputhje me dispozitat ligjore”, ka thënë për lajmi.net Fitore Mehmeti, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Për këtë rast dje reagoi edhe “Radio Romano Avazo”, nga ku u tha se ai është sulmuar derisa po e priste autobusin pranë Universitetit të Prizrenit për të shkuar në punë, në orën 06:00 të mëngjesit.
“Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur afërsisht një javë më parë në qytetin e Prizrenit, ku një anëtar i komunitetit rom është sulmuar brutalisht në orët e para të mëngjesit, duke u përpjekur thjesht të sigurojë bukën e gojës për familjen e tij. Rreth orës 6:00 të mëngjesit, viktima po priste autobusin pranë Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” për të shkuar në punë në një depo të quajtur “Liri”. Ai, një djalë i thjeshtë dhe i ndershëm, jeton në kushte të vështira – pa nënë dhe me një prind që ka aftësi të kufizuara, duke u përpjekur çdo ditë të mbajë familjen me punën e tij të ndershme. Në atë moment, dy të rinj me motosikleta i janë afruar dhe i kanë kërkuar para. Kur viktima nuk ka pasur mundësi t’ua japë, njëri prej tyre e ka goditur me shqelm në fytyrë, duke i thyer nofullën në mënyrë të tmerrshme. Sulmi brutal është një akt i pastër diskriminimi dhe dhune ndaj një njeriu që përballet me vështirësi të mëdha jetese.
Viktima M.M. është dërguar menjëherë në Spitalin e Prizrenit, ku po trajtohet me kujdes të veçantë. Sot pritet të i nënshtrohet një operacioni për riparimin e nofullës së thyer, ndërsa familja dhe komuniteti presin me ankth për shërimin e tij.
Autoritetet e rendit kanë reaguar shpejt, duke siguruar pamjet e kamerave të sigurisë nga vendi i ngjarjes dhe duke identifikuar personat përgjegjës për këtë akt të rëndë dhune. Ata tashmë janë gjetur dhe pritet që të përballen me drejtësinë për veprën e tyre. Kjo ngjarje tronditëse hedh dritë mbi sfidat e mëdha që përballen komunitetet e margjinalizuara në Kosovë, veçanërisht komuniteti rom, i cili shpesh përballet me diskriminim, padrejtësi dhe mungesë mbështetjeje. Historia e këtij burri të thjeshtë, i cili përpiqet të mbajë familjen në këmbë në kushte të vështira, është një thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim për të ndalur dhunën dhe diskriminimin ndaj të gjithë atyre që jetojnë në skajet e shoqërisë”, ka raportuar ky medium.
I njëjti ishte dërguar menjëherë në Spitalin e Prizrenit, teksa edhe i është nënshtruar një operimi.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe deputetja Eliza Hoxha, e cila tha se shpreson se organet e rendit e institucionet përkatëse ta bëjnë punën e tyre.
“Ne si shumicë duhet me punu përditë në integrimin e minoriteteve dhe krijimin e rrethanave të sigurta dhe miqësore për ta e për ne së bashku. Uroj organet e rendit e institucionet përkatëse ta bëjnë punën e tyre”, ka shkruar ajo. /Lajmi.net/