Prokuroria në Gjilan deklarohet për Mefail Shkodrën: Nga viti 2000 pati 5 raste penale, në katër raste u ngritën aktakuza

Prokuroria Themelore në Gjilan është deklaruar edhe një herë në lidhje me të dyshuarin, Mefail Shkodra i cili tanimë është në arrati që nga vrasja që ndodhi të dielën e kaluar në qendër të qytetit të Gjilanit. Pas reagime të shuma në lidhje me të kaluarën kriminale të Shkodra Prokuroria thotë se ka marrë shkas…

Lajme

15/08/2025 10:05

Prokuroria Themelore në Gjilan është deklaruar edhe një herë në lidhje me të dyshuarin, Mefail Shkodra i cili tanimë është në arrati që nga vrasja që ndodhi të dielën e kaluar në qendër të qytetit të Gjilanit.

Pas reagime të shuma në lidhje me të kaluarën kriminale të Shkodra Prokuroria thotë se ka marrë shkas që të njoftojë opinionin se nga viti 2000 janë pranuar gjithsej 5 raste penale, ku në katër raste janë ngritur aktakuza, raporton lajmi.net.

“Duke marrë shkas nga raportimet lidhur me të kaluarën penale të dyshuarit Mefail Shkodra, njoftojmë opinionin publik se për të njëjtin në Prokurorinë Themelore në Gjilan nga Policia e Kosovës nga viti 2000 janë pranuar gjithsejtë 5 raste penale, në 4 raste janë ngritur aktakuza sipas lëndëve PP.II.300/2005, PP.II.394/2011, PP.II.1091/2014, PP.I.154/17 dhe në lëndën PP.II.913/2023  është zgjidhur në procedurë të ndërmjetësimit”,thuhet në deklarim të prokurorisë.

Ndërsa sa i përket të dyshuarve Edonis Shkodra dhe Engjëll Shkodra, ju njoftojmë se në Prokurorinë Themelore në Gjilan, nuk ka pasur asnjë rast të proceduar, në cilësinë e të dyshuarve.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorinë dhe policinë për çfarëdo informate që do të ndihmonte në hetimin e suksesshëm dhe vënien e kryesve para drejtësisë”,theksohet tutje.

Mefail Shkodra ishte i njohur për policinë, prokurorinë e deri tek gjyqësori kosovar.

Në fakt, Shkodra për thuajse gjithë Gjilanin dhe më tej njihej si fajdexhi, e këtë e kishte dëshmuar madje në shumë raste.

Shkodra, i cili ishte liruar vitin e kaluar nga akuzat falë dorëzanisë prej 70 mijë euro edhe asokohe akuzohej pikërisht për çështje që lidhen me fajde.

E shqetësuese mbetet fakti se si i njëjti pavarësisht shumë dyshimeve e akuzave në lidhje me zhvillimin e fajdeve vazhdoi të ishte i lirë e të kryente punë të ngjashme- e të cilat në fund përfunduan me vrasjen e tre personave e plagosjen e një tjetri./Lajmi.net/