Prokuroria kërkon paraburgim për katër serbët e arrestuar në Gjakovë, njofton se kanë nisur hetimet
Policia e Kosovës dje ka arrestuar 16 persona të nacionalitetit serbë, katër prej të cilëve janë pjesëtar aktiv të sigurisë së Serbisë. Këtë gjë e bëri të ditur dje ministri në detyrë i Ministrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla, transmeton lajmi.net. Grupi i parë i arrestuar në këtë rast i përbërë nga katër persona, u ndaluan…

Lajme
Policia e Kosovës dje ka arrestuar 16 persona të nacionalitetit serbë, katër prej të cilëve janë pjesëtar aktiv të sigurisë së Serbisë.
Këtë gjë e bëri të ditur dje ministri në detyrë i Ministrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla, transmeton lajmi.net.
Grupi i parë i arrestuar në këtë rast i përbërë nga katër persona, u ndaluan në Gjakovë kurse 12 personat e tjerë u ndaluan në qytetin e Prizrenit.
Të arrestuarit po udhëtonin në katër automjete me targa të Serbisë, kurse të njëjtëve u janë sekuestruar fotografi me hartën e Kosovës, imazhe të pjesëtarëve të vrarë të grupit terrorist të Banjskës dhe një sopat dhe një dritë rotative dhe dy thika.
Prokuroria Themelore e Gjakovës lidhur me rastin ka kërkuar paraburgimin e të pandehurve për 30 ditë, teksa njofton se ka nisur hetimet.
Komunikata e plotë:
Gjakovë, 07 prill 2025 – Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurve me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, me datë 05.04.2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët Nr. 05/L-022, neni 2 pika 1.24, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një (1) sopatë, një (1) thikë me këllëf, dhe një (1) thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës.
Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., kanë kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.