Prokuroria jep detaje rreth lirimit nga paraburgimi i administratorit të “Albkings”

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me sqarim për lirimin nga paraburgimit të Edin Nevzadit, ish-administrator në “Albkings”. Prokuroria thotë se veprimi për largimin nga masa e caktuar për personin në fjalë është konform dispozitave ligjore të procedurës penale. Në sqarimin e prokurorisë thuhet se rasti i njohur si “Albkings” është trajtuar dhe “vazhdon të…

Lajme

23/10/2024 23:18

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me sqarim për lirimin nga paraburgimit të Edin Nevzadit, ish-administrator në “Albkings”.

Prokuroria thotë se veprimi për largimin nga masa e caktuar për personin në fjalë është konform dispozitave ligjore të procedurës penale.

Në sqarimin e prokurorisë thuhet se rasti i njohur si “Albkings” është trajtuar dhe “vazhdon të trajtohet me prioritetin dhe seriozitetin më të madh” nga ana e prokurorisë.

Theksohet po ashtu se masa e paraburgimit kur vendoset ndaj një personi nuk është dënim, por është fazë, e cila sipas prokurorisë, ndërpritet apo largohet kur pushojnë shkaqet për të cilat është caktuar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë shton se i pandehuri për rastin në fjalë e ka pranuar fajësinë e tij.

“Në rastin konkret, pas analizimit të provave të grumbulluara gjatë fazës së hetimit, Prokurori i Shtetit ka ardhur në përfundim se kanë pushuar të gjitha kushtet e veçanta që parashihen në nenin 184 të KPPRK-së për vazhdimin e mëtejmë të masës së paraburgimit, ndërsa i pandehuri për veprimet inkriminuese ka pranuar fajësinë duke arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorin e Shtetit. Paraburgimi nuk është dënim për të pandehurin dhe i njëjti duhet të ndërpritet në çdo fazë kur pushojnë shkaqet për të cilat është caktuar. Masa e paraburgimit dhe marrëveshja për pranimin e fajësisë janë dy institute ligjore për të cilat kodi i procedurës penale e ka autorizuar Prokurorin e Shtetit që t’i zbatojë atëherë kur përmbushen kushtet ligjore, e për të cilat Prokurori i Shtetit kujdeset çdo herë duke pasur parasysh rrethanat e rastit dhe provat e grumbulluara gjatë fazës së hetimit”, thuhet në njoftim.

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka ndërprerë masën e paraburgimit Edin Nevzadit më 17 tetor, i cili është i dyshuar si njëri nga administratorët e grupit në Telegram “AlbKings”, nga i cili po denigroheshin gratë dhe vajzat shqiptare.

Sipas Gjykatës, të dyshuarit Nevzadi masa e paraburgimit nuk i është zëvendësuar me ndonjë masë tjetër, pasi nuk ka pasur kërkesë nga prokuroria.