Prokuroria jep detaje, policja kreu krimin me armën zyrtare

Janë zbardhur detaje të reja nga vrasja e shumëfishtë në Gjilan.

Lajme

18/02/2020 15:36

Prokuroria e Shtetit ka dhënë detaje shtesë për vrasjen e shumëfishtë që ndodhi në Gjilan, ku policja 45-vjeçare, Valdete Bllaca, fillimisht kishte vrarë prindërit dhe dy vëllezërit e saj e më pas kishte bërë vetëvrasje.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Arben Kadiru, ka thënë para gazetarëve se dyshimet e para janë që është përdorur arma zyrtare.

“Jemi në fazën fillestare të hetimeve. Dyshohet se një zyrtare policore në shtëpinë e saj ka vrarë prindërit, vëllezërit dhe më pas vetën. Nuk mund të japim më shumë detaje. Dyshohet se është revolja zyrtare e Policisë së Kosovës. Nuk kemi informata për motive”, deklaroi Kadriu, raporton lajmi.net.

Në anën tjetër edhe nënkoloneli ka bërë të ditur se aktualisht nuk mund të japin detaje të reja, pasi që ende janë në fazën e hetimeve të rastit tragjik.

“Në vendin e ngjarjes janë ftuar për të asistuar edhe inspektorati i policisë, prandaj edhe unë edhe prokurori dhe e kemi të pamundur që të japim informacione të tjera. Në momentin që të kemi informacione do të njoftoheni me kohë nga zëdhënësit. Ende jemi në mbikëqyrje dhe këqyrje të vendit të ngjarjes”, deklaroi nënkoloneli i Policisë së Gjilanit.

Zëdhënësi i Policisë së Gjilanit, Ismet Hashani, ka deklaruar se policja në fjalë nuk ka qenë e suspenduar nga puna.

“Ka qenë police e stacionit të Gjilanit. Nuk ka qenë e suspenduar. Për detaje të tjera ju lutem të prisni dhe do t’ju informojmë me kohë”, deklaroi Hashani. /Lajmi.net/