Prokuroria jep detaje për operacionin e gjerë në disa lokacione – dyshohet për trafikim droge, grup të organizuar kriminal dhe pastrim parash

Policia e Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe me autorizim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është duke zhvilluar një operacion të gjerë në disa lokacione të ndryshme. Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, konfirmoi për lajmi.net se operacioni ka të bëjë me dyshime për trafikim me substanca narkotike dhe përfshirje…

Lajme

24/09/2025 11:02

Policia e Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe me autorizim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është duke zhvilluar një operacion të gjerë në disa lokacione të ndryshme.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, konfirmoi për lajmi.net se operacioni ka të bëjë me dyshime për trafikim me substanca narkotike dhe përfshirje në disa vepra të rënda penale, përfshirë pjesëmarrjen ose organizimin e grupit të organizuar kriminal, blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, si dhe pastrimin e parave.

Sipas saj, operacioni është ende në zhvillim dhe do të zgjasë deri në përmbylljen e veprimeve operative në terren. Luta theksoi se publiku do të njoftohet me detaje të tjera pas përfundimit të plotë të aksionit policor.

“Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës po zhvillon një operacion në disa lokacione. Operacioni lidhet me dyshimet për trafikim me substanca narkotike dhe veprat penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet pas përfundimit të operacionit policor.”, tha Luta./lajmi.net/