Prokurori kërkon që Limaj të rrijë larg Ministrisë së Infrastrukturës

Prokurori ka kërkuar që Fatmir Limajt t’i ndalohet t’i afrohet Ministrisë së Infrastrukturës. Avokati mbrojtës thotë se Limaj nuk është munduar asnjëherë të ndikojë në dëshmitarë apo të dëmtojë provat.

Lajme

07/03/2014 07:56

Prokurori Johaness Pickert i ka kërkuar që Fatmir Limajt t’i ndalohet t’i afrohet Ministrisë së Infrastrukturës me dyshimin se ai mund të ndikojë në dëshmitarë apo dhe dëmtim të provave.

Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj ka thënë se një kërkesë e tillë është dërguar në Gjykatë. Ai thotë se do ta kundërshtojë një gjë të tillë, pasi Limaj asnjëherë nuk ka ndikuar në dëshmitarë apo në dëmtim të provave.

“Po, jemi njoftuar se prokurori ka bërë një kërkesë Gjykatës për caktimin e masës kufizuese, ndalin hyrjes dhe afrimit të të pandehurit në Ministrinë e Infrastrukturës një distancë që e vlerëson Gjykata”.

“Unë do të bëj një përgjigje dhe do të kundërshtoj sepse konsiderojë që kjo është krejtësisht e paarsyeshme dhe e palogjikshme pas një kohe kaq të gjatë. Ndikimi në dëshmitarë nuk ka ekzistuar asnjëherë, pastaj të pandehurit janë të njoftuar me akuzën dhe deri tash nuk ka pasur as më të voglin tentim për të ndikuar në dëshmitarë apo për dëmtim provash”, ka thënë Rrecaj për “Koha Ditore”.

Ndryshe, Prokurori Johaness është duke ndjekur penalisht Limaj në dy raste të ndara për korrupsion.