Prokurori i Krimeve të Rënda po merret me rastin e vdekjes së 27 vjeçarit në Lipjan- ku të përfshirë dyshohet se ishin edhe zyrtarët policorë
Një rast i rëndë u raportua të ketë ndodhur në orët e vona të mesnatës në Lipjan. 27 vjeçari, Agon Zejnullahu u raportua të ketë humbur jetën në rrethana të dyshimta. Si fillim- rasti u paraqit si vdekje e dyshimtë por duke mos u dhënë detaje shtesë. Por nuk mbeti me kaq. Pamjet e publikuara…

Lajme
Një rast i rëndë u raportua të ketë ndodhur në orët e vona të mesnatës në Lipjan.
27 vjeçari, Agon Zejnullahu u raportua të ketë humbur jetën në rrethana të dyshimta.
Si fillim- rasti u paraqit si vdekje e dyshimtë por duke mos u dhënë detaje shtesë.
Por nuk mbeti me kaq.
Pamjet e publikuara nga ngjarja u vu në pikëpyetje gjithë rastin.
Siç theksohet i riu humbi jetën pas një incidenti që ndodhi në rrugën “Haradin Bajrami”- e ku të përfshirë më pas ishin edhe zyrtarët policorë.
Siç u tha, 27 vjeçari ishte nën ndikim të alkoolit dhe po thyente veturat e po sulmonte qytetarët.
E sipas policisë si shkak i kësaj u desh të intervenohej për ta arrestuar. Por pamjet e publikuara shfaqin një arrestim apo ndalim mjaftë të ashpër.
Në lidhje me gjithë këtë ngjarje, lajmi.net ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë të cilët bën të ditur se Prokurori i Krimeve të Rënda është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore në lidhje me rastin.
Po ashtu u bë e ditur se me rastin po merret edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet hetimore si dhe Prokurori i Krimeve të Rënda është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me rastin në fjalë, poashtu edhe Inspektorati i Policisë së Kosovës janë në hetime të vazhdueshme”.
Përpos kësaj u tha se me vendim të Prokurorit të Shtetit trupi pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Me vendim të Prokurorit të shtetit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Për më shumë informata për momentin nuk mund të ofrojmë pasi që mund të dëmtojmë integritetin e procedurës hetimore”, u tha tutje në përgjigje.
Në lidhje me këtë rast është deklaruar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Borovci tha se viktima pak para se të humbte jetën, dyshohej se ishte nën ndikim të alkoolit dhe po sulmonte automjete e kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”,deklaroi ai.
Sipas Borovcit, me vendim të Prokurorit është iniciuar hetim penal në lidhje me rastin.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda. Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, tha Borovci.
Kurse nga Inspektorati Policor i Kosovës deri në momenti ne publikimit nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me rastin.
E ngushëllime për vdekjen e të riut kanë shprehur edhe nga Komuna e Lipjanit.
“Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, në emër të institucioneve komunale, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Agon Zejnullahut nga fshati Banullë.E nderuar familje Zejnullahu: Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e parakohshme të më të dashurit tuaj Agon Zejnullahut, Kjo ngjarje e rëndë ka prekur thellë jo vetëm familjen tuaj, por edhe gjithë qytetarët e Komunës së Lipjanit.Në këto momente të dhimbshme, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin Agonin.”/Lajmi.net/