Projektbuxheti 2026 miratohet në Komisionin për Shëndetësi mes mospajtimesh politike
Komisioni për Shëndetësi i Kuvendit të Kosovës ka miratuar Projektligjin nr.10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, pas diskutimeve të gjera rreth prioriteteve dhe strukturës së financimit në sektorin e shëndetësisë. Gjatë mbledhjes, deputetët debatuan për nevojën e reformave në sistemin shëndetësor, investimet kapitale dhe financimin e fushave të…
Lajme
Komisioni për Shëndetësi i Kuvendit të Kosovës ka miratuar Projektligjin nr.10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, pas diskutimeve të gjera rreth prioriteteve dhe strukturës së financimit në sektorin e shëndetësisë.
Gjatë mbledhjes, deputetët debatuan për nevojën e reformave në sistemin shëndetësor, investimet kapitale dhe financimin e fushave të ndryshme, duke shprehur qëndrime të ndryshme për përmbajtjen e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm.
Kryetari i Komisionit, Haxhi Avdyli, theksoi se ky komision ka ruajtur ndër vite frymën e bashkëpunimit dhe tolerancës, pavarësisht dallimeve politike. Ai nënvizoi se në këtë mandat pritet punë e madhe, sidomos me ligjet bazike për shëndetësinë, përfshirë reformën e sistemit, ligjin për shëndetësi dhe ligjin për sigurime shëndetësore, të cilat – sipas tij – mund t’i japin një drejtim të ri sistemit shëndetësor në vend.
Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, kritikoi projektbuxhetin, duke thënë se ai është pothuajse identik me vitet paraprake sa i përket investimeve kapitale, të cilat i cilësoi si “mjete të bardha”. Sipas tij, përmbajtja e buxhetit nuk pasqyron objektivat e paraqitura nga kryeministri në ekspozenë e tij para deputetëve dhe nuk sjell ndryshime thelbësore, përfshirë në fushën e sigurimeve shëndetësore.
Edhe deputeti i PDK-së, Artan Behrami, u shpreh kritik, duke vlerësuar se buxheti është në disproporcion me nevojat reale të sektorit dhe me sfidat me të cilat përballet vendi. Ai tha se mbetet të shihet nëse do të ketë rishikim të buxhetit, duke shtuar se amendamentet e propozuara nga opozita në vitet e fundit nuk kanë gjetur mbështetje.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, kërkoi që Komisioni të përgatisë një amendament të veçantë për rritjen e buxhetit për barna esenciale dhe ta dërgojë atë në Komisionin për Buxhet, duke theksuar se Kosova ka ndër buxhetet më të ulëta në rajon për këtë kategori.
Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2026 pritet të procedohet për shqyrtim të mëtejmë në instancat e tjera të Kuvendit. /Lajmi.net/