Profesoresha nga Prizreni, që vuan për bukën e gojës

Profesoresha e diplomuar e gjuhës shqipe, e cila kishte punuar një kohë të gjatë, u detyrua ta lërë punën për shkak të sëmundjes së djalit dhe nuk u kthye më.

Lajme

22/05/2016 08:22

Sadije Gashi Suka u detyrua ta lërë punën në arsim para 13 vjetësh, sepse mjeku e kishte rekomanduar që t’i përkushtohej të birit, Eliotit, tani nxënës i klasës së pestë në shkollën “Emin Duraku”, sepse ndryshe do ta humbiste të birin. Një rekomandim i tillë ishte i mjaftueshëm për zemrën e nënës që po e shihte të birin në atë gjendje.

Ajo vendosi që t’i përkushtohet të birit, Eliotit, por fati e ka dashur që bashkëshorti i saj, Bekimi, të mos mund të gjejë punë që nga ajo kohë. Trembëdhjetë vjet pas kësaj ngjarje, për këtë familje kanë filluar krajatat dhe ankthi, meqë anëtarët e kësaj familje ballafaqohen me varfërinë. Familjes së profesoreshës sot i mungon edhe buka e gojës. Për shkak të kushteve të rënda, profesoresha është sëmurë nga zemra në shkallën e dytë. Ajo duhet të paguajë qira mujore që tejkalon shifrën e ndihmës sociale që merr ajo.

“Kërkoj punë, jo lëmoshë”

Sadije Gashi-Suka është shprehur se shpesh shkon dhe e ngushton të vëllain e saj, duke i kërkuar një thes miell apo pak kripë.

“E di se edhe familja ime jeton në kushte të vështira. Shpesh më bie ta ngushtoj familjen time dhe nga ata marr një thes miell apo kripë. Kjo më dërmon shpirtin. Unë dua dhe di të punoj nëse më ofrohet tani një vend pune. Kudo do të shkoja në shkollën me të largët të komunës, sepse nëse filloj të punoj do të merrja kredi e do të mundohesha të siguroj strehë”, u shpreh ajo.

“Kemi ndërruar së paku 10 vende strehë banimi që nga paslufta”, thotë ajo.

Gashi-Suka shton se kudo që shkon i kërkojnë qira.”Sadopak që të jetë ajo s’ka më qira nën 70 apo 100 euro. Mendoni si është kjo kur ne mbijetojmë vetëm me 38 centë në muaj”, ankohet Sadija.

Ajo pos që ka kryer ish-Shkollën e Lartë Pedagogjike, tash ka përfunduar edhe fakultetin, Drejtimi gjuhë shqipe, por nuk po gjen punë. “Unë po të gjeja një vend pune, do të shpëtoja fëmijët dhe do të punoja me përkushtim. Kam punuar si arsimtare dhe besoj se kam pasur rezultate shumë evidente”, tregon ajo.

Thotë se shpesh i ka ndodhur e po i ndodh që në sofër të mos ketë as bukën e gojës.”Ndihmat e dhëna na kanë bërë të mbijetojmë, nëse kësaj mund t’i thuhet jetë”.

Shpreson se do të përfitojë nga ndarja e banesave sociale

Por, fati i familjes së Sadijes, tre fëmijëve dhe burrit të saj, ka mbetur në duar të bamirëseve. Bamirësinë e konsideron virtyt dhe thotë se po të kishte edhe ajo vetë do të ndihmonte të tjerët. E mban shpresa se do të gjendet një mundësi që të mbijetojë, së pari një kulm mbi kohë që të mos enden nga një shtëpi në tjetrën.

“Tani Komuna e Prizrenit do të ndajë disa banesa solidare. Unë po shpresoj se ne do të jemi ata që do të përfitojmë nga këto banesa”, pohon ajo teksa shton se kështu më nuk durohet.

Ajo shpreson gjithashtu se do të dalë dikush që ta ndihmojë këtë familje dhe për të gjithë ata që kanë ajo ka në dispozicion këtë numër të telefonit: 044 975 329. Tregon se sa herë që ndërron vendbanimin pluhuri që i bartin plaçkat gjithnjë e më shumë po e dëmton zemrën e saj, tashmë të sëmurë rëndë. /Kosova Sot