Prodhimtaria e rrushit dhe e verës, sektorë strategjikë të Kosovës

Festivali tradicional i rrushit Hardh Fest 2017, i cili për çdo vit po arrin të promovoj prodhimet e rrushit dhe verës së prodhuar në Kosovë edhe përtej komunës së Rahovecit dhe Republikës së Kosovës, është shndërruar në një ngjarje të rëndësishëm turistike, ku vizitorë të shumtë të huaj vijnë dhe shijojnë verërat dhe bukuritë e vreshtave të Kosovës.

Lajme

19/09/2017 15:54

25 kompani prodhuese vazhdojnë traditën mijëvjeçare të prodhimit të verës

Ky sektor i prodhimit të rrushit dhe përpunimit të këtij produkti ishte shumë i zhvilluar deri në vitet e 90-ta. Deri në periudhën e paraluftës, sipërfaqet e kultivuara me vreshta kanë qenë shumë më të mëdha. Në vitin 1988 sipërfaqja me vreshta në Kosovë ka qenë rreth 9,000 ha, ndërsa sot në Kosovë kultivohen 3,117 ha, prej të cilave 769 ha janë me rrush tryeze dhe 2,348 ha me rrush për verë.

Nga viti 2006, me privatizimin e disa ndërmarrjeve si dhe me përkrahjen dhe përkushtimin e madh të Ministrisë së Bujqësisë, industria e verës filloi të zhvillohej përsëri dhe ngjalli shpresa te fermerët për perspektivën e kultivimit dhe shitjes së rrushit.

Sot, vreshtaria dhe prodhimi i verës është shndërruar në një ndër sektorët më strategjik për Kosovën. Historikisht, Kosova ka qenë eksportuese e verës dhe sot jo vetëm që plotëson nevojat e brendshme, por arrin që të eksportoj me sukses edhe në tregjet e rajonit dhe anë e mbanë botës. Kësaj i ka kontribuar edhe përkrahja e vazhdueshme këtij sektori nga Ministria e Bujqësisë përmes subvencioneve dhe granteve, duke ndikuar në rritjen e dukshme të sipërfaqes së kultivuar me vreshta dhe përpunim të rrushit, e kjo përveç që ka ndikuar në zhvillim ekonomik, po ashtu ka pasur ndikim të drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit kulturor dhe agro-turizmit.

Në Kosovë, momentalisht janë 25 kompani të licencuara të verës dhe prodhimeve tjera nga rrushi dhe vera. Tre kompanitë më të mëdha përfaqësojnë rreth 90% të gjithsej verës së prodhuar në Kosovë, ndërsa veraritë tjera u takojnë prodhuesve me të vegjël, e disa prej tyre kanë potencial të mirë për eksport.

“Stone Castle”, veraria më e njohura dhe më moderne në Evropën Juglindore

Ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e rrushit dhe përpunimit e verës është ndërmarrja “Stone Castle”, ish NBI Rahoveci në Rahovec, e cila ishte themeluar në vitin 1953, së bashku me evoluimin e industrisë se rrushit dhe të verës në ketë regjion që ka filluar pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo ndërmarrje është privatizuar në vitin 2006 nga ish NBI “Rahoveci”. Pas privatizimit emërtohet si StoneCastle. Si rezultat i privatizimit nga një afarist i suksesshëm amerikan me prejardhje nga Kosova dhe kushteve të mira që ofronte ndërmarrja e re e privatizuar, kjo ndërmarrje shënoi ngritje të reja si rezultat i të cilave janë krijuar kushte teknologjike të avancuara për prodhimin e rrushit dhe verës cilësore. Investime janë bërë duke filluar nga rivitalizimin e vreshtave ekzistuese, ngritja e vreshtave të reja me varietete të rrushit kulminant, avancimin e teknologjisë së prodhimit të verës, duke i zëvendësuar pasjet e vjetra me të reja, që nga pranimi i rrushit e deri në finalizim, ngritjen me kuadro profesionale përmirësimin e

aftësive të marketing etj. Sot, kjo ndërmarrje ka rreth 650 ha vreshta në prodhim, një kapacitet deponues të verërave prej rreth 30 milionë litrash që paraqet një aset tejet të vlefshëm për sektorin e përpunimt të rrushit në Kosovë . Deponimi i verërave bëhet në tanke nëntokësore për ruajtje, ku verërat janë të ruajtura në enë çelik inox, si dhe verërat cilësore në fuçi druri me kapacitetet më të mëdha nëntokësore nga druri dhe bodrume, ku temperaturat janë konstante gjatë gjithë vitit 13- 16 º C.

Veraria “Stone Castle” është një ndër veraritë më të njohura dhe më moderne në Evropën Juglindore. Ndërmarrja punëson 250 punëtorë të rregullt dhe 300 sezonal. Prodhohen lloje të ndryshme të verërave të bardha, të kuqe, rose dhe pijeve të forta alkoolike.

Rimëkëmbja e Verarisë ‘Bodrumi i Vjetër’ dhe zhvillimi i vrullshëm i saj pas privatizimit

Një ndërmarrje tjetër, poashtu ndër më të mëdhatë e sektorit të verërave, është Veraria Bodrumi i Vjetër – Rahovec. Edhe kjo ndërmarrje u themeluar të njëjtin vit ku u themelua NBI Rahoveci, në vitin 1953, si Kooperativë Bujqësore me emrin “Kosova Vera” – Rahovec. Veprimtaria kryesore e saj ishte prodhimi i verërave dhe pijeve alkoolike.

Me privatizimin e saj në vitin 2006 vazhdoi kontinuitetin e saj si pronë private e re nën emrin ‘Bodrumi i Vjetër’, e cila funksionon në gjirin e ndërmarrjes N.p.t “HAXHIJAHA” Rahovec.

Në kohën kur kjo ndërmarrje është privatizuar ishte mjaft e drenuar. Pronari i ri brenda një periudhe 4 mujore arriti qe ta rindërtonte dhe ta rimëkëmbte, duke e pajisur me teknologji bashkëkohore për pranimin dhe përpunimin e rrushit dhe prodhimin e verës dhe rakisë, sipas standardeve bashkëkohore.

Bodrumi është rindërtuar gjatë vitit 2006, gjatë kohës së vjeljeve, me pajisjet e importuara nga Gjermania, Italia dhe Franca për prodhimin e verërave cilësore.

Pra, falë kushteve agroekologjike ideale, teknologjisë më të përsosur, si dhe kuadrit profesional, Bodrumi i Vjetër në Rahovec vazhdon ta ruaj traditën dhe të prodhojë verëra me gjenezë gjeografike me cilësi të lartë në përputhshmëri me standardet evropiane. Prodhon verëra të kuqe, të bardha, verëra rose nga varietetet e kuqe, pastaj pije alkoolike të ndryshme, gjithnjë duke pas parasysh tendencën e rritjes së paletës me prodhimet tjera.

Eksport në shumë vende evropiane, por edhe në vende afrikane

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, Kosova më së shumti eksporton verë në Kroaci (56%) dhe Shqipëri (23%). Vendet tjera ku ka pasur më pak eksport janë Sllovenia, Gjermania, Serbia, Bosna dhe Hercegovina e në shumë vende tjera evropiane. Por Kosova po eksporton verëra edhe në Amerikë, si dhe në vendet e largëta afrikane, si në Nigeri, ku gjithnjë e më shumë po eksportohet vera kosovare.

Verërat e Kosovës tani kanë depërtuar e po promovohen në shumë vende të Evropës e Botës. Çdo vit, verërat e bodrumeve të vogla e të mëdha në Rahovec po fitojnë shumë mirënjohje për

cilësi dhe po synohet prodhimi i verërave cilësore në sasi të vogla e të mëdha. Organizimi i festivalit tashmë tradicional të rrushit dhe verës Hardh Fest pikërisht në Rahovec dhe dhjetëra mijëra vizitorë nga brenda e jashtë Kosovës po e dëshmojnë më së miri suksesin e verërave të Kosovës dhe jehonën që ka marrë vera dhe rakia e rrushit e kësaj ane. Sezona e vjeljes së rrushit së shpejti do të përfundoj, ndërsa natyrshëm vjen në shprehje slogani tashmë i njohur i festivalit Hardh Fest 2017: “Pas verës vjen vera”.

 

Artikull i sponzorizuar