Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së hyn në fazën përfundimtare, seancat nisin më 9 shkurt

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë do të vazhdojë më 9 shkurt, kur pritet të nisë një nga fazat më të rëndësishme të procesit gjyqësor. Sipas kalendarit të përditësuar të Dhomave të Specializuara, nga kjo datë janë paraparë seancat për deklaratat përmbyllëse, ku palët do të paraqesin qëndrimet e tyre finale…

Lajme

03/01/2026 21:55

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë do të vazhdojë më 9 shkurt, kur pritet të nisë një nga fazat më të rëndësishme të procesit gjyqësor.

Sipas kalendarit të përditësuar të Dhomave të Specializuara, nga kjo datë janë paraparë seancat për deklaratat përmbyllëse, ku palët do të paraqesin qëndrimet e tyre finale para trupit gjykues. Në total, janë planifikuar shtatë seanca, pas së cilave procedura do të kalojë në fazën e ashtuquajtur të “administrimit të drejtësisë”, transmeton lajmi.net.

Kjo fazë e fundit e procesit pritet të zgjasë deri në javën e parë të muajit mars.

Përditësimi i kalendarit vjen pak ditë pasi kërkesa e Jakup Krasniqit për lirim me kusht u refuzua, vendim që u mor pavarësisht faktit se procesi gjyqësor ndodhet në përmbyllje dhe se nuk ka më dëgjim dëshmitarësh apo paraqitje provash të reja.

Gjykata Supreme ka lënë në fuqi vendimet e mëhershme, duke rrëzuar kërkesën e Krasniqit për mbrojtje të ligjshmërisë, njëjtë si në rastin e mëparshëm të Kadri Veselit. Vendimi është marrë nga paneli i përbërë nga kryetarja e Gjykatës dhe dy gjykatës të tjerë, të cilët kanë vlerësuar se nuk ekzistojnë baza për ndryshimin e masës së paraburgimit.

Procesi tashmë po hyn në një fazë vendimtare, ndërsa vëmendja publike mbetet e përqendruar te epilogu i një prej çështjeve më të ndjeshme për Kosovën./lajmi.net/