Pro-kundër Kosovës

Të premten nga ora 10 e mëngjesit në Zurich do të zhvillohet takimi mes delegacionit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), homologëve të tyre serb (FSS) dhe krerëve të FIFA’së. Tema kryesore e diskutimeve do të jetë mundësia që Kosova të marrë ‘dritën e gjelbër’ për zhvillimin e ndeshjeve miqësore. Presidenti i FSS’së, Tomislav…

Sport

09/01/2014 20:47

Të premten nga ora 10 e mëngjesit në Zurich do të zhvillohet takimi mes delegacionit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), homologëve të tyre serb (FSS) dhe krerëve të FIFA’së.

Tema kryesore e diskutimeve do të jetë mundësia që Kosova të marrë ‘dritën e gjelbër’ për zhvillimin e ndeshjeve miqësore.

Presidenti i FSS’së, Tomislav Karadziç ka deklaruar se do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij në mënyrë që të parandalojë palën kosovare në realizimin e kërkesave të saj, sa i përket diçkaje më tepër se sa dueleve miqësore.

“Pala kosovare i kërkon të gjitha, të luajë ndeshje miqësore dhe zyrtare, por ne nuk pajtohemi aspak me këtë. Një vendim i tillë do t’i sillte shumë punë Gjykatës në Lausanne. Andaj, kërkesat e tyre nuk mund të pranohen dhe nuk besoj se të premten do të ndryshojë diçka në këtë aspekt”, deklaroi Karadzic për B92.

Ai po ashtu tregoi qëndrimin e FSS’së, që do të përfaqësohet prej tij dhe sekretarit të përgjithshëm, Zoran Lakoviç.

“Qëndrimi ynë do të jetë rezultat i bisedimeve që kemi nxjerr pas konsultimeve me disa ministri të caktuara. Gjatë atyre diskutimeve jemi marr vesh se çka mund të pranojmë, dhe në takim do të dalim me ato kërkesa, dhe nuk do të dalim nga ai hark, dhe ajo që është më e rëndësishmja duhet të përmendet fakti se shpresojmë se të gjitha kërkesat tona do të pranohen. Ne po ashtu, nuk do të lejojmë që Përfaqësuesja e Kosovës të luaj me ekipe Kombëtare të ish Jugosllavisë në Prishtinë”, u shpreh ai.

Karadziç me presidentin e FIFA’së, Sepp Blatter

Njeriu i parë i futbollit serb theksoi se të gjitha palët do të kenë kërkesat e tyre, por delegacioni serb dëshiron që të mundësojë që në Kosovë të luhet futboll.

“Bëhet fjalë për ndeshje miqësore të Përfaqësuesve të tyre dhe klubeve. Ndeshjet miqësore tashmë një kohë të gjatë janë temë e diskutimeve, dhe sa i përket takimeve zyrtare dihet se Përfaqësueset dhe klubet e Kosovës nuk mund të luajnë përderisa Kosova të mos jetë e njohur nga ana e Kombeve të Bashkuara”.

“Sa i përket ndeshjeve miqësore, kemi marrëveshje të caktuara, se mund të luajnë pa simbole, flamuj, logo dhe himn, që në fanellat e Kosovës të jetë fusnota dhe që klubet tona që gjenden në veriun e Kosovës dhe në enklavat tjera të marrin pjesë në garat dhe sistemet e Federatës tonë. Ne do ta kërkojmë këtë, nuk e dimë nëse do të pranohet, por kështu do t’i mundësojmë njerëzve të luajnë futboll”, deklaroi Karadziç.