Prishtina ende pa atmosferë festive, OSHP ia anuloi tenderin për dekorime

Festat e fundvitit po afrojnë, e për shkak të këtyre festave, shumica e qyteteve në Kosovë janë ndriquar me drita e dekore festive. Dikush më shumë e dikush më pak, por pothuajse secila nga komunat në vend ka ndarë një buxhet të caktuar që qytetarëve t’i ofrojnë një atmosferë festive duke i dekoruar sheshet e…

Lajme

10/12/2025 15:22

Festat e fundvitit po afrojnë, e për shkak të këtyre festave, shumica e qyteteve në Kosovë janë ndriquar me drita e dekore festive.

Dikush më shumë e dikush më pak, por pothuajse secila nga komunat në vend ka ndarë një buxhet të caktuar që qytetarëve t’i ofrojnë një atmosferë festive duke i dekoruar sheshet e qendrën kryesore të qytetit.

Por, kjo nuk është bërë ende në kryeqytet. Aty janë vendosur vetëm shtëpizat për tashmë traditën “Verë n’dimër”, të cilat janë dekoruar nga vetë pronarët e tyre që i kanë marrë me qera ato shtëpiza. Sheshet në Prishtinë nuk kanë ende drita të vendosura nga Komuna e Prishtinës.

Lajmi.net e ka pyetur Drejtorinë e Kulturës në lidhje me këtë, të cilët kanë treguar se ku është problemi.

“Drejtoria për Kulturë si njësi kërkuese e ka iniciuar vitin e kaluar procedurën për dy vite. Vitin e kaluar, njëri lot është realizuar me sukses, derisa i dyti i cili është planifikuar për këtë vit, pas ankesës së operatorit është anuluar dhe është ritenderuar”, kanë thënë nga Drejtoria e Kulturës.

Detaje të tjera në lidhje me këtë, kanë dhënë edhe nga sektori i prokurimit. Ata kanë njoftuar se aktiviteti i prokurimir për dekorimet verore, dimërore dhe shënimi i datave me rëndësi, ësht anuluar me vendim të OSHP-së.

“Lidhur me aktivitetin e prokurimit për dekorimet verore, dimërore dhe shënimi i datave me rëndësi, ju njoftoj se ky aktivitet i prokurimit paraprakisht është anuluar me vendim të OSHP-së. Tutje Komuna e Prishtinës e ka ritenderuar aktivitetin e prokurimit dhe aktualisht procedura ndodhet në fazën e vlerësimit të ofertave nga komisioni i rivlerësimit”, kanë njoftuar nga prokurimi për lajmi.net.

Me afrimin e festave të fundvitit, vendosjen e dekoreve nëpër qytete, rritet edhe numri i qytetarëve qe realizojnë vizita në qendra të ndryshme, duke rritur ekonominë e vendit.

Prishtina për vite me radhë, ka qenë destinacion i qytetarëve të Kosovës për ditët afër festave të fundvitit. /Lajmi.net/