Princi Harry, gjurmëve të princeshës Diana

Princ Harry i Britanisë së Madhe eci sot gjurmëve të nënës së tij të ndjerë, Diana, në vendet e minierave të Angolës, gjatë ditës së pestë të udhëtimit të tij në Afrikë.

Bota

27/09/2019 23:33

Harry, në bashkëpunim me organizatën britanike të bamirësisë ”Halo Trust”, vizitoi një fushë të minuar në qytetin Dirico.

Ai ndihmoi personalisht në shkatërrimin e një prej minave të mbetura në tokën e vendit të Afrikës Jugore.

Gjatë qëndrimit treditor në Angolë, duka i Sussex-it do të vizitojë qytetin verior të Huambo-s, ku princeshë Diana u fotografua duke përshkuar një fushë të minuar në vitin 1997.

Më pas, Harry do të udhëtojë në një qendër ortopedike që vizitoi Diana, e cila do të riemërohet pas saj.

Princesha vdiq në një aksident automobilistik në Paris në vitin 1997.

Harry vizitoi dje qytetin e Botsvanës duke ndihmuar 200 fëmijë të mbillnin pemë të reja në rezervën e pyjeve Chobe, për të luftuar ndryshimin e klimës.

Harry është në një vizitë 10-ditore në Afrikën e Jugut, së bashku me bashkëshorten e tij Meghan Markle dhe djalin e tyre 4-muajsh, Archie.

Pas Angolës, Harry do të udhëtojë për në Malawi e më pas do të ribashkohet me Meghan në Afrikën e Jugut më datë 1 tetor, një ditë para përfundimit të udhëtimit të tyre në Johanesburg.