Prezanton planin zhvillimor

Isa Mustafa prezantoi sot planin e tij zhvillimor si dhe një plan të punësimit për periudhën e ardhshme 4 vjeçare. Ai pohoi se prioritet i tij është sektori i bujqësisë dhe përkrahja e grave dhe të rinjve në biznes.

Lajme

27/11/2013 15:42

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa në kuadër të fushatës zgjedhore prezantoi sot planin e tij për zhvillimin dhe punësimin në Komunën e Prishtinës për periudhën kohore 2014-2017.

Mustafa tha se përgatitja e planit është bërë në konsultim me nstitucione të ndryshme financiare, vendore e ndërkombëtare.

“Kemi bashkëpunuar me Bankën Botërore, Bankën Gjermane për Zhvillim dhe me FMN. Po ashtu, kemi bashkëpunuar me Odën Ekonomike të Kosovës, Gjermane dhe Amerikane”.

“Në Komunën e Prishtinës janë ndërtuar diku rreth 1.6 milionë metra katrorë hapësira banesore dhe hapësira të ndryshme për biznes. Kostoja e ndërtimit të këtyre hapësirave është 730 milionë euro ndërkohë që vlera e tregut llogaritet të jetë afër 1.6 miliardë euro”.

Mustafa deklaroi se një ndër prioritetet e tij është zhvillimi i sektorit të bujqësisë.

Ai e sheh këtë sektorë si katalizatorin për krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik.

“Në mënyrë të drejtëpërdrejtë ne kemi subvencionuar bujqësinë, çdo vit janë përkrahur një numër i madh i fermerëve dhe në vit janë ndihmuar rreth 300 fermer”.

“Subvencionimi i bujqësisë bëhet për të përkrahur produktet vendore ne mënyrë që në tregjet tona të kemi produktet tona vendore”.

“Krijimi i kushteve për punësim do të bëhet me investimet nëpër fshatra duke subvencionuar bujqësinë”.

“Do të bëhet rregullimi i tregjeve. Do të bëhet tregu i gjelbër me shumicë apo Tregu i madh, poashtu do të bëhen tregjet e tjera për automjete dhe tregje të kombinuara. Gjithashtu do të bëhen tregje të gjebra nëpër lagje”.

Mustafa tregoi se 80 milionë euro janë  investuar në infrastrukturë rurale dhe atë urbane vetëm këtë vit.

Ai po ashtu u shpreh se përkrahja e grave në biznes por dhe të rinjve është prioritet për periudhën e ardhshme 4 vjeçare.

“Krijimi i hapësirave për bizneset e grave dhe të rinjve ku për këtë rast është paraparë që të ndërtohen rreth 4 qendra në mënyrë që ata të promovojnë aty bizneset e tyre”.

“Hapja e Akademisë profesionale  kryesisht do të ishte për formimin e kuadrove në sektorin e ndërtimtarisë të cilët do të kontribuonin jo vetëm për Kosovën por dhe më gjërë”.